Bëhuni një ditë të vetme kundërshtarë dinjitozë

Hamit TAKA

Që nga 20 maji, dita kur doli lista e pjesshme me emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, ka kaluar shumë kohë e kanë rrjedhur shumë ujëra. Thonë se koha shëron plagët dhe uji pastron mëkatet. Një periudhë e mjaftueshme për reflektim, për ftohjen e gjakrave, për shuarjen e mllefeve dhe për të kujtuar se koha s’përsëritet më. Fjala është për ish-hierarkët milionerë (në euro) të PD-së, të cilët, që nga 20 maji, e shpallën veten armik të betuar të Lulzim Bashës dhe filluan betejën e egër për asgjësimin politik të tij, të mos bjerë nesër mbi ta mallkimi i demokratëve të thjeshtë, që i ngritën në nivele që as i meritonin dhe as i imagjinonin, të bëhen një ditë të vetme kundërshtarë dinjitozë. Por edhe për ata që dëgjojnë sirenat e tyre dhe vajtojcat, që qajnë për të ardhmen e PD-së.
Pavarësisht se askush s’do mund të imagjinonte se ish-hierarkët, që, nën siglën e PD kanë bërë karrierë vite me radhë dhe mbaheshin si figura me aksione të çmueshme në PD, do të shformoheshin nga Çirçe-politika në atë farë feje, sa të thoshin “pas meje asnjë mos mbettë!”, familja e demokratëve di të falë, nëse të paktën një ditë ata do të tregohen sadopak kundërshtarë dinjitozë, duke u bërë thirrje atyre që i ndjekin nëpër salla të mbyllura, pavarësisht nga motivet, të marrin pjesë në garë, duke votuar atë që dëshirojnë dhe që mendojnë se do të jetë më i aftë e më i përkushtuar për drejtimin dhe fitoren e PD në zgjedhjet e ardhshme lokale apo legjislative.
Pavarësisht se, pas dy muaj sulmesh histerike pa limite kundër zotit Basha nga studiot e mediave proqeveritare e nga portale, të cilët janë krijuar pas zgjedhjeve të qershorit 2013, për të denigruar dhe bombarduar PD dhe lidershipin e saj, si “CityNews.al” etj., objektivi i të cilëve ishte: sa më shumë informacione denigruese dhe çorientuese kundër opozitës, e cila, kur qeverisi, kishte krijuar një bilanc pozitiv, me shumë objektiva të realizuara dhe arritje të prekshme për vendin, duhet të jenë qartësuar se, duan s’duan kundërshtarët politikë, PD mbetet partia që themeloi pluralizmin politik në Shqipëri, që e çoi vendin në Këshillin e Europës, mbylli Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE-në, çoi në liberalizimin e vizave (ku ka kontribuar edhe zoti Basha si ministër i Jashtëm) dhe e anëtarësoi Shqipërinë në aleancën më të madhe të globit, NATO dhe kështu duhet t’i thërrasin ndërgjegjes, për t’u treguar një ditë të vetme kundërshtarë dinjitozë.
Pavarësisht se firmëtarët që kërkojnë largimin e Bashës, ish-figura në PD, janë të njëjtë me ata që kanë vënë pasuri të majme si ish-ministra dhe ish-zyrtarë, të cilët kanë negociuar me Ramën, për të ruajtur pasuritë, demokratët e thjeshtë, të cilëve ata u bëjnë thirrje të mos votojnë Bashën, vetëm me një sy të shpejtë mund të konstatojnë fare thjesht se ish-hierarkët, që kanë firmosur për tetë a më shumë vite vetëm në bordero shtetërore, po të bashkojnë pasuritë e deklaruara dhe ato të fshehura mund të rrisin GDP-në e Shqipërisë. Ajo listë me ish-ministra, ish-deputetë, të cilët nuk justifikojnë as karburantin që shpenzojnë me rrogat që kanë, ish-drejtorë apo këshilltarë, të cilët më 2005 e nisën karrierën duke tërhequr overdraftin e rrogës në bankë dhe sot jetojnë në luks, flasin nga resortet luksoze e vilat bregdetare, janë treguesi më i qartë i inatit dhe mllefit njerëzor dhe aspak i një sjelljeje politike e atyre që të paktën pretendojnë se janë. Dhe pikërisht për ndjesë të atyre që i kanë mashtruar për kaq shumë vite si bixhozçinj politikë, le të tregohen të paktën më 22 korrik kundërshtarë dinjitozë!
Pavarësisht se janë ata që i krijuan PD dy humbje radhazi dhe sot krekosen si themelues, idealistë e qëndrestarë të demokracisë, si kritikë “principialë” të zotit Basha me fyerje, sharje e intriga, nuk duhet të harrojnë se paratë, sado shumë të kesh, nuk e blejnë dot dinjitetin, se personalitetin nuk e gjen dot në tregun e Rilindjes që blen dhe shet me raste edhe kundërshtarët politikë. As partinë dhe postet nuk mund t’i mbash përherë dhuratë nga ish-kryetari apo si meritë e përdorjes që ai të ka bërë. Ka një moment kur të duhet të reflektosh për këtë, bile mund edhe të paguash. Për këto arsye këta kritizerë duhet të ulen një herë në bankën e pendesës, në vetëgjyqësinë e ndërgjegjes dhe do ta shikojnë se do t’iu duket tepër e ngushtë, do të vërtiten atje në siklet dhe do të djersijnë sa ujë do t’u bëhet dhe xhaketa. Nga ajo bankë do të ngrihen të lehtësuar, më të qetë e më të hapur dhe do të tregohen një herë të vetme kundërshtarë dinjitozë.
Kritizerët e Bashës, të cilët Parlamentin e kanë konsideruar si vend të privilegjuar pune, ku kanë përfituar shumë dhe prandaj e përjetojnë kaq keq, aq sa në ato pak studiot televizive e në sallat me ata pak të njohur të tyre ngjajnë si gjynahqarë dhe ligjëratat e tyre si thirrjet e të mbyturve, nuk duhet të harrojnë se komprometojnë edhe të ardhmen e fëmijve të vet, të cilët ndiheshin të privilegjuar për “meritat” e prindërve të tyre, që dëshirojnë të aderojnë në partinë e etërve dhe ëndërrojnë të zgjidhen deputetë e ofiqarë qeverisës në të ardhmen. Sot ata me siguri ndihen të habitur e ndoshta edhe të fyer nga akrobacitë politike të etërve. Edhe ata me siguri ia kanë bërë pyetjen vetes: nëse prindërit e tyre do të ishin në listën e deputetëve në vende të sigurta, do të kishin mbajtur këto qëndrime? Për këtë arsye ishët do të ndihen keq, do t’i thërrasin arsyes për të ardhmen e familjes dhe më 22 korrik duhet t’i kenë fashitur inatet e mllefet hakmarrëse dhe do të sillen si kundërshtarë dinjitozë për zgjedhje të moralshme dhe të ndershme.
Njerëzit gjakftohtë e syçelur e kanë parë dhe e dinë kush ka qenë idealist i përkushtuar e kush ka qenë mujshar dhe i krekosur, duke shfrytëzuar gjithë atributet dhe avantazhet e dhuruara nga demokratët, nga mundi dhe sakrifica e tyre deri në sublimitet. Ata e kanë vërejtur edhe gjatë fushatës për zgjedhjen e kreut të PD, se ish-hierarkët e kanë kthyer atë në një luftë gladiatorësh për të futur në dorë partinë më të madhe opozitare të sotme. Por votuesit demokratë e dinë se ishte zoti Basha ai që nxiti dhe i çoi deri në fund disa iniciativa politike të rëndësishme në pikëpamjen e zhvillimeve politike në Shqipëri, siç ishte dekriminalizimi, pengimi i kryeministrit për të kapur drejtësinë, lufta kundër krimit, drogës e trafiqeve dhe sensibilizimi i opinionit të brendshëm e të jashtëm për deformimin e votës së shqiptarëve. Ishte i vetmi që kishte një program prosperiteti për Shqipërinë dhe që do të jetë programi i fitores në të ardhmen. Siç m’u shpreh një biznesmen i ri, jopartiak, me gjuhën e zanatit të tij: Nga kandidatët, që janë sot në “treg”, të shpallur e vetëshpallur, vetëm Basha ka personalitetin për të qenë në krye të PD-së.
U bëftë më e mira me qetësi dhe dinjitet!

Artikulli paraprakJu flet Doktori!
Artikulli tjetërGjana: Të shtunën, të gjithë anëtarët e PD të dalin të votojnë