Befason Alegri!

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri, beson se ndeshja mund të kishte përfunduar me një tjetër rezultat, nëse djelmoshat e tij do të ishin treguar më të kujdesshëm në disa raste dhe më klinikë para portës së Ter Stegen. Barcelona fitoi në “Camp Nou” 3:0 ndaj Juventusit falë paraqitjes fantastike të Lionel Messit, i cili realizoi dy gola, ndërsa shënoi edhe Ivan Rakitiç. “Djemtë bënë ndeshje të mirë, por kur keni raste në ‘Camp Nou’, duhet t’i shfrytëzoni. Ne u ndëshkuam nga gabimi i parë, 30 sekonda para fundit të pjesës së parë, lamë të lirë Messin”, u shpreh Alegri.
3 gola për një fitore identike si ajo e Juventusit disa muaj më parë. Barcelona hakmerret ndaj bardhezinjve për atë eliminim në çerekfinalet e Championsit sezonin e kaluar, pasi me një super Leo Messi, arriti të mposhte 3-0 skuadrën e Massimiliano Alegrit në “Camp Nou”, në ndeshjen e parë në Grupin D. Messi realizoi dy gola shumë të bukur në këtë superpërballje, ndërsa pati ndikimin e tij edhe në finalizimin e kroatit Ivan Rakitiç. Përballjen e dy numrave 10 e fitoi argjentinasi i Barçës, me Dybala-në që qëndroi gjatë gjithë 90 minutëshit në hije.
Në të 45-tën, 5 herë fituesi i Topit të Artë i shërbyer nga Suarez la të palëvizur Buffonin për avantazhin e blaugranave. Në të 56-tën Rakitiç dyfishoi shifrat, ndërsa në të 67-tën, Messi shënoi një supergol për t’i dhënë një tjetër dimension fitores së Barcelonës. Në ndeshjen tjetër të Grupit D, Sportingu i Lisbonës mposhti me shifrat 3-2, Olympiacosin e Besnik Hasit brenda në Karaikaqis të Pireut dhe tashmë kryeson në kuotën e 3 pikëve së bashku me Barcelonën. Në Grupin A, Manchester United e nisi me një fitore të lehtë pasi kaloi 3-0 Baselin në “Old Trafford” me golat e Fellainit, Lukakut dhe Rashford. Titullar Taulant Xhaka te kampionët e Zvicrës, me mesfushorin shqiptar që u ndëshkua edhe me karton të verdhë në minutën e 83-të.
Në sfidën tjetër të këtij grupi Cska e Moskës surprizoi Benficën me një fitore 2-1 me përmbysje brenda në Lisbonë. Në Grupin C, Chelsea i Contes shpartalloi Qarabagun me rezultatin 6-0 në “Stamford Bridge”, me skuadrën azere që ndjeu mungesën e kapitenit të kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, i cili është i dëmtuar. Pedro, Zappacosta me një finalizim fantastik, Azpilicueta, Bakayoko, Batashuayi dhe Medeved që e dërgoi topin në rrjetën e tij ishin autorët e golave për Chelsea-n.

Artikulli paraprakDinamo e Kievit vlen mbi 61 milionë euro
Artikulli tjetërMarcelo rinovon deri më 2022