BE: Shqipëria, prodhuesi kryesor i drogave në Europë

Bashkimi Europian shprehu dje alarmin e saj mbi rreziqet që paraqesin për BE fuqizimi i organizatave kriminale të trafikut të drogave që përfitojnë çdo vit më shumë se 24 miliardë euro nga shitja e tyre. Dy agjencitë më të mëdha të Europës në luftën kundër krimit të organizuar kërkuan që Shqipëria, krahas Afganistanit të vihen nën monitorim të rreptë të Bashkimit Europian për prodhimin dhe trafikimin e drogave.
Shqipëria, në raport mbetet një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit, si edhe një nga rrugët kryesore të trafikut të kanabisit, vajit të kanabisit dhe heroinës të prodhuara në Afganistan. Ndërkaq organizatat kriminale shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në furnizimin e Europës me kanabis dhe heroinë. Qendra e Monitorimit Europian të Drogave dhe Varësisë së Drogave së bashku me Europol publikuan dje raportin e tregjeve të drogës në BE, ku organizatat kriminale shqipfolëse mbeten nga më aktivet në trafikimin, shpërndarjen dhe shitjen e drogave në tregjet europiane.
Me gjithë operacionin policor në Lazarat, Shqipëria zë sërish vendin e parë në Europë për prodhim kanabisi dhe shitjen e tij në tregjet e paligjshme europiane. Pas saj vjen Holanda, ku ky mall distribuohet, duke shkelur shumë herë edhe ligjet për konsumin e tij. Heroina, që rrjedh prej opiumit, vjen nga vendet e Kaukazit përmes Turqisë, Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor
Shqipëria cilësohet si një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit në Europë dhe furnizuesit kryesorë të tregjeve në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Në raport thuhet se shqiptarët përmes bashkëpunimit me organizatat kriminale të Holandës, kanë arritur të transportojnë sasi të mëdha droge edhe në Britaninë e Madhe. Ndërsa bashkëpunimi me organizatat kriminale marokene dhe lokale i ka fuqizuar ata në kontrollin dhe fitimet që sigurojnë nga tregjet e drogës në Francë dhe Gjermani. Shqipëria, së bashku me Holandën është kanali kryesor i trafikut të vajit të hashashit afgan në Holandë.
Heroina është një nga drogat e tjera ku shqiptarët rezultojnë ndër grupet kriminale të fuqishme në furnizimin e tregut europian. Shqiptarët janë aktorët kryesorë në realizimin e fitimeve nga trafikimi, shpërndarja dhe shitja me pakicë për përdoruesit europianë, pasi turqit mbështeten shumë në fuqinë e mafias shqiptare. Raporti thotë se këto organizata kriminale janë aktive edhe në trafiqe të tjera kriminale, sikurse është ai i armëve dhe i emigrantëve.
BE tha se në analizë të këtij raporti vëren një lidhje më të madhe mes trafikut të drogës dhe krimeve të tjera, që përfshijnë terrorizmin, duke bërë që krimi i organizuar të krijojë aleanca përtej kufijve dhe ndarjeve etnike, duke e vështirësuar ekspertizën, si edhe vërehet koncentrimi gjeografik i grupeve të specializuara në droga të veçanta, përmes konsolidimit të trendeve të shkuara dhe krijimit të zonave të reja.

Artikulli paraprakBasha: Paguajmë 1 milionë dollarë në muaj për Vilmën
Artikulli tjetërSkandali, Rama me 33 zyrtarë në “Panama papers”