BE përdor sondën në vend të shkopit për qeverinë e Shqipërisë

Nga Arben KASHAHU

Vendimi i BE është padyshim strategjik. Ai nuk ndan Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut. Ky vendim rrit besueshmërinë e perspektivës europiane të dy vendeve. Ai forcon ndjenjat pro-europiane në popullsitë përkatëse. Nga ana tjetër ky vendim cliron sot Maqedoninë e Veriut nga tirania e staus quo-së 16 vjecare, ndërsa për Shqipërinë, prodhon një rrugëdalje nga status quo-ja 6 vjecare e ngecjes së procesit të integrimit europian.

Kjo është vecantia e parë e këtij vendimi. Ai nuk ndan por diferencon. Pra Maqedonisë së Veriut i hapet dera, Shqipërisë i tregohet rruga për të mbërritur tek dera e BE. Rruga që duhet përshkruar nga qeveria nëpërmjet tejkalimit të 15 pengesave/kushteve të cilat për ironi qeveria i ka prodhuar e thurur vetë me kujdes këto 7 vjet, është rruga e tejkalimit të vetvetes.

Vecantia e dytë e këtij vendimi është që ai e vendos qeverinë në pozitën e tejkalimit të vetvetes. Qeveria është padyshim autore e mos-arritjeve, dështimeve apo gabimeve të bëra me veprime e mos-veprime të saj, të cilat sot përbëjnë kushtet e vendosura asaj nga BE për tu kapërcyer. Kujtoj këtu se asnjëherë më parë nuk ka patur kushte kaq qartësisht të qepura për një qeveri në detyrë si kjo e sotmja.

Askush nuk ka dyshime se qeveria nuk i ka ditur këto kushtëzime, por ajo ka zgjedhur të mos i realizojë. PD dhe Opozita e Bashkuar i kanë artikuluar këto kushte në formën e kërkesave drejtuar qeverisë si dhe denoncime të sjelljes së kësaj të fundit në mënyrë të përsëritur për disa vitë me rradhë. E vërteta e hidhur është se në këto veprime të gabuara apo mosveprime të qeverisë që sot janë kushte, qendron filozofia e qeverisë, është modeli i saj i lidershipit. Prandaj BE i kërkon sot qeverisë të tejkalojë vetveten.

A nuk ishte një gabim pervers i qeverisë kalimi në parlament i ligjit aq të kontestuar të mediave? Ky perversitet nuk mund të merrte përgjigje më të mirë se kushtezimi për zhbërje nga autori.
Një vecanti tjetër e këtyre kushteve është se ato do të jenë të monitorueshëm jo vetëm nga Komisioni Europian, por në rastin e Shqipërisë, për herë të parë edhe nga parlamentet dhe qeveritë e vendeve anëtare. Ka një angazhim të artikuluar të Bundestagut dhe Parlamentit Hollandez për të monitoruar me ekspertë dhe misione të vecanta plotësimin e këtyre kushteve për Shqipërinë.

Vecantia e fundit që dua të theksoj është numri i madh i këtyre kushteve, plot 15. Duket se BE ka përdorur sondën dhe jo shkopin. Të krijohet bindja se BE ka dashur t’i vendosë një notë qeverisë, në këtë rast në të kundër të krahut orar të notave akademike, sa më i lartë numri aq më i keq vlerësimi. Kjo bindje përforcohet kur lexon deklarimet e parlamentarëve të rëndësishëm në parlamentet e vendeve kryesore të BE si Johann Wadephul, Katia Leikart, Stef Block, menjëherë pas vendimit.

Një numër i lartë prej 15 pengesash vendosur autores së tyre për ti kapërcyer, si përgjigje për mungesën e theksuar të përpjekjeve deri në injorim të kushteve të artikuluara nga Bundestagu, nga Presidenti Francez e Parlamenti Hollandez gjatë periudhës nga Shtatori 2019 deri më sot. Kjo tiradë (15-ce) e BE për qeverinë, nuk është një gjemb në mishin e kësaj të fundit që mund ta heqë lehtë, është vetë mishi.

Artikulli paraprakAta mijëra, të cilët komunizmi i kalbi burgjeve
Artikulli tjetërBasha për negociatat: Askush nuk mund të luajë më me fjalë. Faktet janë mbi tavolinë. Shqipëria duhet të plotësojë 15 kushte