Bashkia e madhe nuk mund të drejtohet nga njerëz të vegjël

Namir Lapardhaja

Lexova reagimin e kryetarit të Bashkisë Berat lidhur me mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak dhe mashtrimin e tij të radhës se në këtë këshill një grup i vogël i ka mohuar qytetit pastrimin ditëve të diela dhe fshatit Bilçë, investimin për tubacionin e ujësjellësit, çka do të furnizonte rreth 3 mijë banorë me ujë të pijshëm.
Në fakt, e vërteta është krejtësisht e kundërta.
E vërteta është se një grup i vogël klanor, krahinor, sektar dhe një minorancë absolute brenda një force politike, ka marrë në dorë drejtimin e Bashkisë Berat dhe, ndërkohë që ka kaluar një vit e gjysmë që ata janë në krye të Bashkisë, në inventarin e arritjeve të tyre nuk ka asnjë gjë pozitive dhe asnjë gjë konkrete.
Përkundrazi!
Sot në Berat kemi taksa më të larta se një vit më parë!
Sot në Berat nuk kemi asnjë investim të mbyllur nga projektet e mëparshme, të cilat janë në vazhdimësi!
Sot në Berat nuk kemi asnjë investim të ri!
Sot në Berat nuk kemi më shumë pastërti, ndërkohë që taksa e pastrimit u rrit!
Sot në Berat nuk kemi më shumë gjelbërim (përkundrazi), ndërkohë që taksa e gjelbërimit u rrit!
Sot në Berat nuk kemi më shumë ndriçim, ndërkohë që taksa e ndriçimit u rrit!
Sot në Berat nuk kemi më shumë ujë, ndërkohë që çmimi i ujit të pijshëm u rrit!
Sot në Berat nuk kemi asnjë metër kanalizim, ndërkohë që lagje të tëra lundrojnë në ujëra të zeza!
Sot në Berat kemi shumë më pak shërbime, ndërkohë që tarifa dhe taksat që duhet të paguajnë taksa-paguesit beratas janë më të larta!
Sot taksapaguesit beratas duhet të paguajnë më shumë lekë edhe për heqjet e paligjshme që ka bërë kryetari i Bashkisë, ndërkohë që ato lekë duhet dhe mund të shkonin për investime!
Sot në Berat ka më pak turistë dhe vizitorë se një vit më parë, edhe për shkak të kësaj keqqeverisjeje lokale, ndërkohë që taksa bashkiake e shtretërve në hotele është rritur!
Të gjitha këto i rritën këshilltarët e PS-së dhe të LSI-së në mbledhjen e fundvitit të shkuar.
Dhe qytetarët e Beratit duhet ta dinë mirë këtë.
Ndërkohë që në atë mbledhje, por dhe në vazhdimësi, u kam kërkuar këshilltarëve të këtyre forcave politike që të vëmë qytetin mbi partitë, të vëmë interesin e qytetarëve përpara interesit të kryetarit të Bashkisë, të vëmë të mirën e përgjithshme përpara të mirës vetjake dhe personale.
Askush nuk ka dëgjuar!
Dhe gjendja është kjo që paraqitet sot.
Berati sot është në pikën e hallit. Nuk mund të ndodhte ndryshe. E paralajmëruam gjatë fushatës elektorale të 2015. Ashtu siç kemi një vit e gjysmë që e ngrejmë zërin për gjithçka që bëhet keq në këtë qytet.

Artikulli paraprakSHBA, të shtëna në një festë të rinjsh, 3 të vdekur, 1 i plagosur
Artikulli tjetërNë vend të këndit të lojërave, ndërtimi 30 katësh i Ramës dhe klientelës së tij