Bashkëjetesa kundër martesës

Larry Jacobs

Duke theksuar ndryshimet dramatike në formimin e familjeve që janë manifestuar gjatë shekullit të fundit, James Munby, president i Divizionit Familjar të Gjykatës së Lartë britanike, sugjeron se duhet të ekzistojë më shumë mbrojtje ligjore për bashkëjetuesit. Radhika Sanghani e përgëzon këtë lëvizje në gazetën “Telegraph” dhe shkruan: “Ideja e shpenzimit të mijëra e mijëra parave për atë që supozohet të jetë ‘dita më e bukur e jetës’ – përfshirë këtu një fustan që nuk do ta veshësh më kurrë – bashkë me nevojën për të pasur një çertifikatë martesore për të legjitimuar ligjin, më bën të ndihem keq për institucionin e martesës”. Megjithatë, Sanghani pranon se nëse do të kërkonte një leje mbrojtjeje ligjore për veten dhe fëmijët e saj të ardhshëm, ligji e detyron atë të martohet.
Kërkimet sugjerojnë se si Sanghani ashtu edhe gjykatësi James, nuk kanë marrë në konsideratë faktin se martesa dhe bashkëjetesa janë thellësisht të ndryshme në mënyra të shumta. Një brez më parë, shumë pak njerëz guxonin të sugjeronin se lidhja e një çifti nuk duhet të përfundonte detyrimisht në martesën e shenjtë. Sot, shpërfillja e publikut për martesën buron pikërisht nga ekzistenca e bashkëjetesës.
Megjithatë, kërkimet e shumta tregojnë se martesa është përsëri superiore kundrejt bashkëjetesës, madje edhe në vendet më progresive të Europës. Dijetarët kanë arritur në konkluzionin se personat e martuar jo vetëm që raportojnë nivel më të lartë kënaqësie, por janë edhe më pak të gatshëm të marrin në konsideratë ndarjen, krahasuar me bashkëjetuesit, qoftë edhe bashkëjetuesit që kanë në plan të martohen.
Duke përdorur të dhënat e valës së parë të Sondazhit të Brezave dhe Gjinive (gjatë viteve 2003-2007), kërkuesit zbuluan ndryshimet bazë ndërmjet dy grupeve të mëdha të 42 mijë çifteve të martuara ose bashkëjetuesish, ndërmjet moshave 18 dhe 55 vjeç në tetë shtete europiane. Në raundin e tyre të parë të testimeve, ata zbuluan se bashkëjetuesit që nuk kishin në plan të martoheshin shfaqnin nivel më të ulët kënaqësie në marrëdhënie, ndërsa bashkëjetuesit që kishin në plan të martoheshin, ishin më të kënaqur me njëri-tjetrin dhe marrëdhënien e tyre, krahasuar me çiftet që ishin të martuar.
Megjithatë, rezultati i fundit mund të japë një perceptim të gabuar. Ndryshimi kryesor, sipas rezultateve të kërkimit, ishte shumë i vogël dhe nuk jepte efekte domethënëse në sasi. Në tërësi, sipas modelit statistikor të përdorur, të dy llojet e bashkëjetuesve regjistronin nivele më të ulëta kënaqësie krahasuar me çiftet e martuara.
Bashkëjetuesit në tetë vende të ndryshme europiane kishin më shumë gjasa të merrnin në konsideratë prishjen e marrëdhënies së tyre gjatë vitit të mëparshëm, krahasuar me çiftet e martuara, një model që u shfaq i fortë për të dy llojet e bashkëjetuesve, por edhe më fort tek ata që nuk kishin plane për të lidhur martesë në të ardhmen.
Ndërkohë që kërkuesit zbuluan këtë “deficit” të bashkëjetuesve në çdo vend që kishin studiuar, mungesa e kënaqësisë dhe cilësisë së marrëdhënies ndërmjet bashkëjetuesve ishte më e vogël në vendet ku bashkëjetesa është më e përhapur (si Norvegjia, Franca dhe Holanda) dhe më e madhe në vendet ku martesa mbizotëron kundrejt bashkëjetesës (si Rusia, Rumania dhe Gjermania). Në tetë vendet e studiuara, bashkëjetuesit që nuk kishin asnjë plan të martoheshin, kishin edhe më shumë gjasa të merrnin në konsideratë ndarjen krahasuar me moshatarët e tyre të martuar.
Fakti më ironik është se kërkuesit ishin më të interesuar nga variacionet modeste ndërmjet vendeve të ndryshme të studiuara se sa në mbledhjen e ndryshimeve që ekzistojnë ndërmjet europianëve që bashkëjetojnë dhe europianëve të martuar. Kështu, duke arritur në rezultatin se martesa dhe bashkëjetesa vazhdojnë të jenë tepër të ndryshme në vende të ndryshme të Europës, ata mendojnë se ndryshimet dhe mospërputhjet që ndajnë bashkëjetesën nga martesa mund të zhduken plotësisht nëse bashkëjetesa vazhdon të përhapet dhe kthehet në eksperiencë normative në pjesën më të madhe të vendeve europiane.
Studiuesit, me pak fjalë, e kanë përfunduar kërkimin e tyre me shpresën se dallimet ndërmjet dy grupeve do të zhduken plotësisht në të ardhmen. Megjithatë, të dhënat e tyre raportojnë tjetër gjë, atë të rekomandimit që europianët të rizbulojnë martesën, një marrëdhënie sociale që nxit nivele më të larta kënaqësie dhe lumturie, së bashku me stabilitetin. Dallimet që ekzistojnë ndërmjet bashkëjetesës dhe martesës mund të jenë duke u zbehur gjithnjë e më shumë nëpër vende të ndryshme europiane. Mbi të gjitha, nëse arrihet të ofrohet mbështetje dhe siguri ligjore për bashkëjetuesit, atëherë institucioni i martesës do të bëhet gjithnjë e më i panevojshëm si për çiftet bashkëjetuese, ashtu edhe për fëmijët që lindin prej tyre.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakÇfarë fanellash do të veshin Juve dhe Reali në finale?
Artikulli tjetërPerëndimi dhe epoka e lodhjes