Basha zotohet para Osmanit: Vendimi i parë si kryeministër do të jetë heqja e traut në ‘Rrugën e Kombit’

Kryedemokrati Lulzim Basha ka përgëzuar për deklaratat e saj ushtruesen e detyrës së Presidentit të Kosovës Vjosa Osmani, teksa ka përsëritur në konferencën e sotme për mediat zotimin për të hequr traun në “Rrugën e Kombit”, si një nga vendimet e para të tij si kryeministër.

Basha tha sot se ky është minimumi dhe se shumë më shumë duhet të bëhet, ne veçanti për të rinjtë.

“Ripërsëris sot zotimin tim, një nga vendimet e mia të para si kryeministër të miat do të jetë heqja e traut në ‘Rrugën e Kombit’ si dhe negocimi me qeverinë kosovare për mosvendosjen e ansjë pengese tarifore në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Ky sigurisht është minimumi, shumë më shumë duhet të bëhet. Në veçanti duke pasur parasysh potencialin e jashtëzakonshëm të dy vendeve tona dhe gjendjen e vështirë ku ndodhen dhe në veçanti rininë e Shqipërisë dhe Kosovës. Si dy përfaqësues të brezit të ri në politikë shohim të ardhmen e dy vendeve tek rinia.

Kemi një obligim të madh ndaj të rinjve dhe e dimë se e ardhmja ka emrin dhe fytyrën e rinisë shqiptarë. Të rinisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Do të bëjmë gjithçka për të forcuar ekonomitë tona që po vuajnë dhe rënkojnë prej kohësh dhe në veçanti në këtë kohë pandemie dhe për të kthyer shpresën dhe besimin e rinisë dhe gjithë qytetarëve për të ndërtuar jetën e tyre”, deklaroi Kreu i PD.

Sipas tij, parakusht për këtë është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Do kemi një bashkëpunim të ngushtë.
“Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha potencialet e lidershipit politik të profesionalizmit për të udhëhequr në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ai.

Basha theksoi më tej se si kryetar i PD dhe nesër me përgjegjësitë që do i ngarkojnë qytetarët shqiptarë dhe si nip i Kosovës do të bëjë gjithçka që të rikthejë bashkëpunimin në nivele më të larta.

“Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për mesazhet e qarta dhe të paekuivoke të kryetares së Kuvendit dhe të ushtrueses së detyrës të presidentit të Kosovës të shprehura dhe gjatë fjalës së djeshme dhe gjatë takimit me presidentin Meta dhe ta siguroj atë dhe përmes saj institucionet dhe popullin e Kosovës se si kryetar i PD dhe opozitës sot dhe nesër me përgjegjësitë që do më ngarkojnë qytetarët shqiptarë, por pa diskutim dhe si nip i juaji do të bëj gjithçka që të rikthej bashkëpunimin në nivele më të larta. Shumë shpejt do keni fuqinë e plotë të mendjes, të zemrës dhe të energjive të Shqipërisë në krahun e Kosovës dhe çdo qytetari të saj”, u shpreh Basha.

Artikulli paraprakSi ndikon ushqimi që hamë në humorin tonë
Artikulli tjetërOsmani kërkon përkrahjen e Shqipërisë: Serbia synoi të shfarosë popullin shqiptar, genocidi duhet të dënuar