Basha: Xhafa dhe Ruçi, një lojë e rrezikshme për të ardhmen, Rama inkurajon drogën e krimin

Droga e krimi i organizuar në Shqipëri janë kthyer në një problem politik për qeveritë europiane dhe BE. Kjo është arsyeja se përse Rama sipas Bashës tani po e pranon problemin dhe në të njëjtën kohë po shpall fitoren imagjinare ndaj drogës në një kohë që vendet e BE po japin alarmin për tonelatat e drogës.
“Tani që droga shqiptare dhe krimi i organizuar është kthyer në problem politik për qeveritë europiane dhe BE-në, duke rrezikuar integrimin e Shqipërisë dhe kthimin e vizave për shqiptarët, Edi Rama nuk e fsheh dot më, ndaj ka vendosur ta pranojë dhe menjëherë të shpallë fitoren e luftës imagjinare ndaj saj”, shprehet Basha në një postim në Facebook.
Kryetari i opozitës paralajmëron se, rikthimi i simboleve të krimit si Ruçi dhe Xhafa në krye të institucioneve është një lojë e rrezikshme me vendin. “Është një inkurajim për trafikantët dhe kriminelët”, thotë Basha.
“Njeriu që për tre vjet mohoi problemin e drogës në Shqipëri, duke bekuar kthimin e saj në vendin kryesor të drogës në Europë, sot befas deklaroi se e paska zgjidhur këtë problem. Askush nuk është arrestuar, asnjë drejtues i trafikut nuk është zbuluar, asnjë organizatë trafikantësh nuk është goditur, asnjë rezultat konkret nuk ka patur në asnjë drejtim. Por kryeministri ka shpallur fitoren e luftës që nuk ka ndodhur.
Por nga ana tjetër promovon Gramoz Ruçin, të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe Fatmir Xhafën e përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Është një lojë e rrezikshme: inkurajim për trafikantët dhe kriminelët që vazhdojnë të patrazuar dhe shkurajim për policët e ndershëm dhe të gjithë shqiptarët që duan ta luftojnë drogën. Është një lojë që do të ketë pasoja për shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë”.
Kryetari i opozitës deklaron se opozita nuk do të ndalë për asnjë ditë të vetme betejën kundër së keqes që ka pllakosur vendin.
“Ndaj nuk do ta ndalim asnjë ditë betejën kundër kësaj të keqe që ka pllakosur vendin, demokracinë dhe ekonominë tonë”, shprehet Basha.

Artikulli paraprakSi u blenë vëzhguesit europianë me paratë e korrupsionit, deklaruan: Zgjedhje si Gjermania
Artikulli tjetërBitcoin, piramidë apo monedha e së ardhmes?