Basha viziton zonat e bllokuara: Banorët të izoluar e në errësirë

Kryetari i opozitës, Basha kërkoi dje nga qeveria që të shpallë gjendjen e emergjencës pasi një pjesë e mirë e zonave të vendit po hasin probleme ekstreme me bllokimin nga bora dhe ngricat. “Banorët janë të izoluar dhe në errësirë. Por qeveria nuk e merr përsipër emergjencën”, tha Basha gjatë takimeve që zhvilloi dje në zona të ndryshme të Kukësit.
Lulzim Basha ishte dje pranë banorëve të qytetit të Kukësit, të cilët po vuajnë gjendjen e rëndë të motit. Banorët i thanë Bashës se kanë mungesë të energjisë elektrike. Çmimi i druve për ngrohje është dyfishuar. Basha tha se këto dy probleme i ka hasur nga kontakti me qytetarët në këto ditë të vështira në mjaft zona. Ai konstatoi se ndihma e qeverisjes qendrore ka qenë minimale. Bashkitë ia kanë dalë të vetme të përballojnë situatën e krijuar.
“Ngrohja dhe problemet me energjinë elektrike janë halle të mëdha që janë ngritur nga të gjithë qytetarët, të majtë, të djathtë, pa dallim. Ndërkohë, kamionët e qeverisë ngarkohen me dru dhe qytetarët ndëshkohen për shkurre. Situata është rënduar në gjithë vendin. Çmimi i latave të druve në Korçë, Ersekë, Përrenjas, Dibër, Kukës, Has, Tropojë, Malësi e Madhe, Dukagjin, Shkodër, këtu në Kukës, është dyfishuar, nga 20 mijë lekë në 40 mijë. Në Korçë nga 35 mijë lekë në 70 mijë. Dy problemet më të mëdha pra, sot për njerëzit janë çmimi i lartë i druve dhe mungesa e energjisë elektrike”, tha Basha.
Kryetari i opozitës u shpreh se barra e madhe e mungesës së investimeve po bie mbi banorët. Strukturat e OSHEE-së dhe pushteti lokal po punon në kushte ekstreme për shkak të braktisjes nga qeveria në këto 3 vite. Ai i bëri thirrje kryeministrit ta njohë realitetin.
“Banorët janë të izoluar dhe në errësirë. Por qeveria nuk e merr përsipër emergjencën. Shpreh mirënjohjen më të thellë dhe keqardhjen gjithashtu, për punonjësit e OSHEE, të cilët punojnë në kushte ekstreme, ku shpëtohen nga banorët kur rrezikojnë dhe jetën. Kjo tregon se nuk është investuar në këto 3 vite. Qeveria ia ka lënë barrën bashkive, por duhet të kthejë sytë këndej sepse emergjenca nuk ka kaluar. Kjo është një gjendje emergjence dhe qeveria nuk përgjigjet siç i takon, duke shpallur emergjencën”, tha Basha. Kreu i demokratëve u bëri thirrje drejtuesve të bashkive, por edhe degëve të Partisë Demokratike për t’iu gjendur sa më pranë njerëzve.

Redin HAFIZI

Artikulli paraprakSekuestrohet në Leçe 700 kg drogë me vlerë 4 milionë euro
Artikulli tjetërPërse jam kundër listave të hapura?