Basha të hënën viziton Kosovën, do të takohet me drejtuesit më të lartë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të zhvillojë të hënën një vizitë në Kosovë ku do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës. Vizita e zotit Basha vjen pas ftesës së Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti.

Gjatë qëndrimit në Kosovë lideri i opozitës do të takohet me Kryeministrin Avdullah Hoti, Presidentin Hashim Thaçi, Kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani si dhe me drejtuesit e partive politike, Vetvendosjes, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës-Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.

Vizita e zotit Basha në Kosovë zhvillohet në një kohë të rëndësishme nisur nga zhvillimet e javëve të fundi, ndërkohë që ka rinisur dialogu Kosovë- Serbi, intervistimi në Hagë i presidentit Thaçi, por edhe në momentet kur Shqipëria dhe Kosova po përballen me sfidën e menaxhimit shëndetësor por dhe ekonomik të situatës së krijuar nga Covid19.

Gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike vlerësoi se duhet një bashkëpunim më i ngushtë ekonomik mes Shqiperisë dhe Kosovës.

Bashkërendimi i veprimeve mes dy vendeve është mënyra më e mirë dhe më e sukseshme për të përshpejtuar proçeset integruese të të dyja vendeve – theksoi zoti Basha gjatë takimit të zhvilluar në Tirane me kryeministrin Hoti.  Duke  risjellë në vëmendje  bashkërendimin e sukseshëm gjatë proçesit të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare, ndërsa theksoi se “është koha për ti vënë në jetë këto përvoja të sukseshme për të mirën e shqiptarëve”.

Lulzim Basha e ka bërë të ditur prej kohësh mbështetjen për autoritetet e Kosovës në proçesin e negociatave Kosovë- Serbi ku ka theksuar se përpos normalizimit të  marrdhënieve, produkti  i këtyre negociatave duhet të jetë njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në respekt të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Artikulli paraprakNjë show që fsheh mjerimin!
Artikulli tjetërPD publikon foto-prova: Shqipëria është mbushur me hashash përpara largimit të qeverisë së Edi Ramës