Basha: Qeveria teknike, kusht i patjetërsueshëm

Kryetari i opozitës shqiptare Lulzim Basha deklaroi mbrëmë para mijëra mbështetësve në Sheshin e Lirisë se, opozita nuk do të bëjë asnjë pazar me kauzën e zgjedhjeve të lira përmes një qeverie teknike. “Mesazhi ynë, vendimi juaj ka qenë, është dhe do të mbetet deri në fund një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ky është vendimi juaj, ky është vendimi i qytetarëve shqiptarë. Ky është edhe vendimi i opozitës së bashkuar, i komunikuar qartë sot në përgjigje të një ftese për dialog, po dialogut me një temë, qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Vendosmërinë e qytetarëve dhe qëndresën e tyre Lulzim Basha e përkthen në vullnet politik. “Qeveri teknike si kusht i patjetërsueshëm për t’i hapur rrugë zbatimit të Reformës në Drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut dhe jo sipas qejfit të atyre që po u dridhen leqet që tani nga drejtësia e pavarur dhe e pakapur”.
Në natën e katërmbëdhjetë në Sheshin e Lirisë, qytetarët dëgjuan rininë e Fondacionit për Liri dhe Demokraci në aktivitetin e tyre me temë “Vota s’ka çmim”.
Të mbështetur nga fondacione simotra si ajo Konrad Adenauer prej një muaji ka hapur konkursin për të rinjtë, të cilët dërguan esetë e tyre me titull: Vota s’ka çmim.
Nga 150 aplikime, tre fituesit Sidi Hasanaj, Valbona Bezati dhe Nardi Bushi mbajtën edhe një fjalë përmbledhëse të tezës së tyre mbi këtë temë, e cila është edhe kauza e qytetarëve që protestojnë në Sheshin e Lirisë.
Edit’h Harxhi tha se tubimi paqësor qytetar i thirrur nga opozita nuk ka asgjë më pak se greva e urisë e vitit ‘91 që rrëzoi diktatorin Enver Hoxha.
“Parlamenti i sotëm është turp i njerëzimit jo vetëm i Shqipërisë. Ky tubim dhe kjo mbledhje paqësore justifikon plotësisht kauzën e madhe politike për votën e lirë. Ndaj kudo që ndodhen shqiptarët, sot i bëj thirrje të bëhen pjesë e kësaj çadre, të majtë e të djathtë, sepse kjo është çadra e lirisë”.
Çlirim Gjata theksoi përgëzimin që i ka bërë kryetarit të opozitës Basha për ndërhyrjen e fuqishme të saj në datë 21 korrik gjatë bisedimeve për dakordësinë mbi Reformën në Drejtësi, pasi në të kundërt, sipas Gjatës, Kushtetuta do ishte kthyer në një statut në dorën e një mazhorance.
“Duhet ta dijnë qytetarët se jeta e tyre bazohet mbi Kushtetutën dhe ligjet, të cilat përcaktojnë mënyrën e jetesës sonë për sot e deri 100 vjet më pas. Por kush janë këta njerëz në Parlament sot, të cilët po vendosin për fatet tona? Politika hyn në konflikt për Reformën në Drejtësi dhe ambasadorët  vijnë ta zgjidhin. Kemi Kushtetutë të shoqërisë shqiptare, apo të ambasadorëve?”
Alfred Rushi për të treguar lidhjen direkte të ekonomisë së një vendi dhe votës së lirë argumentoi mungesën e ekzistencës së votës së lirë, në një shtet ku qeveria vendos edhe për bukën e gojës së qytetarëve.
“Kam dëgjuar shpesh kryeministrin të thotë: Ne bëjmë shtet. Por a e keni dëgjuar ndonjëherë ju Kryeminsitrin të flasë për shtetin e së drejtës? Jam i sigurt se sot qeveria mbështet biznesmenë, por jo biznesin. Sipas FMN rrogat janë ulur me 1.7%, ndërsa qeveria thotë se ekonomia është rritur me 3%. Por më thoni ju si ka mundësi që ekonomia të rritet, ndërkohë që rrogat e qytetarëve ulen”.
Edi Lesi sheh arrogancën në qeverisje të kabinetit Rama, si asgjësuesen e instrumentave që duhet të bëhen zëri i shoqërisë si mediat, Shoqërinë Civile apo vetë opozitën. Ka mbetur një siguresë që mund ta shpëtojë dhe ky është populli, tha Lesi.
Për Arben Imamin, presidentin e Fondacionit për Liri dhe Demokraci, protesta është veprim dhe fjala e Partisë Demokratike materializohet në Sheshin e Lirisë për një republikë të re.

Katër pikat për dialog, e para; qeveri me mbështetje të gjerë

Koalicioni i opozitës është i gatshëm të ulet në çdo tryezë dialogu të vërtetë, me qëllim krijimin e një qeverie me bazë të gjerë që do e çojë vendin në zgjedhje. Deklarata ka ardhur pas një takimi që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar me aleatët në selinë e PD-së në orët e mesditës. Deklarata erdhi si përgjigje pas ftesës të koalicionit qeveritar, i cili shprehej se është treguar i gatshëm të dialogojë me opozitën. Koalicioni opozitar, duke vlerësuar momentin kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët për shkak të kërcënimit të zgjedhjeve dhe të votës së lirë dhe të ndershme nga krimi dhe droga me lidhje qeveritare, shpreh gatishmërinë për një tryezë dialogu të vërtetë dhe jo fasadë, me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar me qëllim krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie me mbështetje të gjerë politike që do të garantojë: Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit. Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës. Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut, thuhet në deklaratën e dalë nga takimi me PD dhe aleatëve. Pra, në qëndrimin e saj opozita shqiptare është e qartë. Të gjitha proceset që të çojnë tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme duhet të kalojnë nëpërmjet qeverisë teknike, e cila do të bëjë të mundur ndërprerjen e infiltrimit të parave të drogës dhe krimit të organizuar në zgjedhje, përgatitjen e procesit, si dhe vazhdimin e reformës në drejtësi.
Por duket se nuk është e këtij qëndrimi Partia Socialiste, e cila ftesat për dialog i bën sa për t’u dukur në sytë e ndërkombëtarëve. Njeriu i fjalës së pambajtur Edi Rama ka nxjerrë menjëherë dje kreun e grupit parlamentar Gramoz Ruçi, i cili ka folur për katër pikat, por qëllimisht lë jashtë diskutimeve atë që është më e rëndësishme dhe që opozita e ka vendosur si kusht primar të saj, qeverinë teknike. Ruçi në fjalën e tij tha se ka shumë për të diskutuar rreth pikave të parashtruara nga PD, por duke lënë të kuptohet se në zgjedhje do të shkohet pikërisht me Edi Ramën, në krye të qeverisë. Ja se çfarë thotë Ruçi në reagimin e tij. “Ka shumë për të folur edhe për katër pikat e propozuara të saposhtruara nga opozita dhe jemi të gatshëm të ulemi në Kuvend, në komisione apo ku të dëshirojë Partia Demokratike. Qeveria dhe opozita duhet të dialogojnë gjithnjë për reformat e mëdha dhe çdo çështje në interes të vendit e të qytetarëve; kush është në qeveri e kush në opozitë e vendos vetëm populli me votën e tij”. Spërdredhja politike e Ruçit, ka të bëjë pikërisht me shmangien e problemit të vërtetë. Problem kryesor i zgjedhjeve në Shqipëri është Edi Rama dhe opozita ia ka përsëritur disa dhjetëra herë se nuk do një fitore në tavolinë, por do garancinë që procesi do të kalojë nëpërmjet rregullave dhe lojës së ndershme që sjell vota e lirë. Një qeveri me Ramën, do të thotë as më shumë e as më pak, por një proces i deformuar si në rastin e Dibrës. Kryetari i PD-së Basha në lidhje me këtë çështje nuk ka munguar të përsërisë dhe një herë nga protesta e opozitës kushtin e patjetërsueshëm. Zgjedhje me Ramën në qeveri nuk mund të ketë.

Rama kërkon me çdo kusht kamikazët e tij tek Vettingu

Edi Rama po çon drejt dështimit Reformën në Drejtësi. Në një kohë që bën ftesa për dialog, lajmëron dhe mbledhjen e Parlamentit jashtë radhe për të miratuar Komisionet e Vettingut, ditën e hënë datë 6 mars, kur është dhe afati i fundit kushtetues për ngritjen e tyre. Duket se jemi përpara një maskarade, pasi ligji kërkon që çdo kandidat për t’u emëruar anëtar i Komisionit të Vettingut duhet të marrë 2/5 e votave ose 92 vota të anëtarëve të Parlamentit. Mazhoranca dhe me sforco nuk mund të bëjë më shumë se 84 vota, pra i duhen dhe 8 vota të tjera që të plotësojë kuadrin ligjor. Në fakt lëvizja e Ramës duket se nuk është gjë tjetër vetëm se një lëvizje bllofi për të treguar fuqi që nuk i ka. Opozita e ka shprehur qartë qëndrimin e saj se s’mund të bëhet vetting i gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij vendi, nga një njeri, i cili futi krimin në politikë, i cili nuk zbaton ligjin e dekriminalizimit dhe që mban akoma njerëz të dënuar për përdhunim në krye të institucioneve të vendit. Opozita e ka shprehur qartë se me një qeveri që përkrah drogën dhe krimin e organizuar nuk mund të ketë institucione të vettingut. Lëvizja e Ramës nuk është gjë tjetër vetëm se një lloj lëvizjeje e dëshpëruar për të bërë të fortin, por një lëvizje që nuk tremb dot as Erion Braçen e tij.

Artikulli paraprakBasha: Faktori ndërkombëtar të ndërhyjë për qeveri teknike
Artikulli tjetërShkulen pllakat në trotuaret e Durrësit, hidhet beton i Gjushit