Basha: Qeveria të mos nxisë mbylljen e vendeve të punës me vendime të gabuara

“Paketat në letër as nuk hahen, as nuk pihen”, Basha: Qeveria të vërë në lëvizje paketën e dytë të ndihmës dhe të mos nxisë mbylljen e vendeve të punës me vendime të gabuara

Ditën e hënë është lançuar paketa e dytë, sot është dita e enjte dhe ne ende nuk kemi detajet zyrtare rreth kësaj pakete. Kërkoj menjëherë aktet administrative të vihen në lëvizje edhe për paketën e dytë, sepse paketat që ngelen në letër dhe nuk zbatohen as nuk hahen, as nuk pihen, as u vinë në ndihmë njerëzve.

Natyrisht përshëndes ndihmën për punonjësit që janë larguar nga puna gjatë pandemisë, por duhet të theksoj se përqasje paketës së dytë dhe vonesa në nxjerrjen e saj ka nxjerrë në pah një problem. Duke qenë të vonuar në mbështetjen që duhet t’i jepnim biznesit, tani në vend që mbështesim vazhdimin apo mbajtjen hapur të bizneseve dhe mbajtjen e marrëdhënies së punës që këto biznese kanë me të punësuarit, pra në vend që të bëjmë gjithçka që mos të ketë largime nga puna, në vend që të kemi këtë synim strategjik përmes masave mbështetëse, kjo inkurajoi të kundërtën.

Synimi duhet të jetë dhe të shpallet që masat mbështetëse përmes financimit dhe përmes lehtësirave fiskale të mundësojmë që biznesi të mos detyrohet të largojë punonjësit nga puna. Në qoftë se 5 javë pas krizës shpallet, siç është shpallur në deklaratën e së hënës, se do të paguajë punonjësit e larguar apo të pezulluar nga puna kjo duket si një thirrje cinike për t’i thënë biznesit privat që të pushojë njerëzit nga puna se vetëm kështu punonjësit mund të përfitojnë nga ndihma shtetërore, ndërkohë që po i mbajte në punë paguaji vetë edhe nëse nuk e përballon dot shërbimin.

Pra është një thirrje e qartë për falimentim. Kjo përqasje nuk e ndihmon ruajtjen e vendeve të punës dhe nuk ndihmon për të mbajtur lart konsumin e përgjithshëm, përkundrazi është një qasje që dëmton biznesin, dëmton punëmarrësit e larguar dhe dëmton konsumin.

Artikulli paraprakBasha thirrje qeverisë për zbatimin e paketës së parë: Mijëra familje të varfëra nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Duhet transparence…
Artikulli tjetërBasha: Nuk mbështesim ashpërsimet e dënimeve në Kodin Penal. Beteja nuk është me njerëzit, por me virusin