Basha: Nuk mbështesim ashpërsimet e dënimeve në Kodin Penal. Beteja nuk është me njerëzit, por me virusin

Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë një konference për mediat deklaroi se, nuk mbështet ashpërsimet e dënimeve në Kodin Penal, me përjashtim të rastit të një personi mbartës të infeksionit, i cili me vetëdije shkel rregullat e karantinimit të detyrueshëm dhe me vetëdije rrezikon shëndetin e një bashkëqytetari apo bashkëqytetarëve të tjerë.

Basha tha se, beteja nuk është me njerëzit, por me virusin.

Pyetje: Si i shikoni ndryshimet që janë miratuar sot në Kodin Penal?

Lulzim Basha: Ajo që dua të them është se për ne një pjesë e mirë e propozimeve nuk kanë qenë të nevojshme. Qeveria ka përforcuar me dënime administrative relativisht të rënda parandalimin e shkeljeve të rregullave të karantinës dhe në gjykimin tonë e gjitha kjo ka qenë e mjaftueshme, me përjashtim të rastit të një personi mbartës të infeksionit, i cili me vetëdije shkel rregullat e karantinimit të detyrueshëm dhe me vetëdije rrezikon shëndetin e një bashkëqytetari apo bashkëqytetarëve të tjerë.

Hiq këtë parashikim, siç e bëra të ditur edhe institucionalisht, ne nuk e mbështesim pjesën tjetër të përqasjes, sepse le të marrim një shembull konkret. Në qoftë se një qytetar ka dalë për 90 minuta dhe është në minimumin e 95-të, apo ka dalë për të marrë bukë dhe nuk ka marrë dot lejen tek e-Albania, për raste të tilla masat administrative që janë shpallur janë mëse të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për masa të tjera më të rënda. Beteja nuk është me njerëzit, beteja është me virusin. Virusi dhe pasojat e pandemisë që ka sjellë në ekonomi luftohen, njerëzit ndihmohen.

Artikulli paraprakBasha: Qeveria të mos nxisë mbylljen e vendeve të punës me vendime të gabuara
Artikulli tjetërMerkel shpjegon pse do t’i lehtësojë masat e izolimit nga Covid-19