Basha: Qeveria ka flakur në rrugë punonjësit e policisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi dje një vizitë në shtëpinë e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, i vrarë tre ditë më parë në hyrjen e pallatit ku banonte, në Tiranë. Basha ka shprehur ngushëllime në emër të PD-së dhe e ka cilësuar tragjike ekzekutimin mafioz të ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit.
Basha ka theksuar gjithashtu se, institucionet ligjzbatuese duhet të bëjnë gjithçka për zbardhjen e ngjarjes kriminale. Ai ka përsëritur sërish se, qeveria ka flakur në rrugë punonjësit e policisë, duke i braktisur përballë krimit.
Vizita e Bashës vjen tre ditë pas vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, ndërsa policia nuk ka arritur të zbulojë autorët. Organi i akuzës dyshon se kemi të bëjmë me ekzekutim mafioz të grupeve kriminale. Për këtë është urdhëruar marrja në shqyrtim e të gjitha dosjeve, të cilat kanë qenë nën hetim nga ish-kreu i Policisë së Vlorës.
Artan Cuku ka qenë nëndrejtor i Policisë për Krime të Rënda në Tiranë nga viti 2009 deri në vitin 2011. Më pas, Cuku mbajti detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës nga viti 2012 deri në vitin 2013. Cuku ka qenë prej 16 vitesh në polici, ku ka shërbyer si shef Krimesh edhe në Tiranë, Shkodër dhe Fier. Gjatë gjithë karrierës së tij në Policinë e Shtetit, ai ka qenë tmerri i bandave dhe trafikantëve.
Por ndonëse njihej si njeriu i hekurt ndaj krimit, më 1 qershor 2014, Artan Cuku u pushua nga puna nga drejtori i Policisë, Artan Didi, me urdhër të Ramës. Një nga drejtuesit më të suksesshëm të Policisë së Shtetit u hodh në mes të katër rrugëve pa asnjë mbrojtje, ndërsa nga ana tjetër, Rama nxori nga burgu kriminelët. Banditët që ai vuri në pranga tani e kishin më të lehtë për ta kërcënuar dhe ekzekutuar ashtu siç ndodhi mbrëmjen e të shtunës.

Artikulli paraprakEkspertiza: Ish-drejtori Cuku u qëllua pas shpine me dy armë
Artikulli tjetër11 Prilli dhe këpucët e kuqe