Basha propozon reformë radikale: Qeveria kalimtare, garante për zgjedhjet

Kryetari i opozitës, Basha kërkon ndryshime të thella në reformën zgjedhore duke deklaruar se beteja për demokracinë është beteja për shtetin ligjor.

“Alternativa e Edi Ramës ka qenë dhe mbetet ndërtimi i shtetit privat, që nuk ndihmon dhe nuk punon për njerëzit.

Beteja jonë për demokracinë është beteja për ndëtimin e një shteti që punon për njerëzit dhe për këtë na duhet ndryshime të thella.

Plani ynë fillon me një Reformë Zgjedhore tërësore që do ta forcojë demokracinë shqiptare dhe do të luftojë korrupsionin, do të hedhë themelet për një ekonomi të fortë e të qëndrueshme dhe do të shtrojë rrugën për integrimin europian.

Vizioni dhe alternativa jonë është e thjeshtë dhe e mundur! Basha premton një reformë radikale ku qeveria kalimtare të jetë garante për zgjedhjet”, tha Basha.

“ Derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE, 100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë. Shitblerja e votës shuan zërin e qytetarëve dhe i jep kontrollin një grushti politikanësh, biznesmenësh dhe kriminelësh të fuqishëm. Reforma zgjedhore është hapi i parë për t’i dhënë fund korrupsionit, për një ekonomi më të fortë dhe anëtarësim në BE”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha u shpreh se sistemi zgjedhor duhet të garantojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve, në mënyrë që pushteti të mos përqendrohet në një dorë.

Ai propozon ngritjen e një Senati për llogaridhënien e qeverisë. 40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit.

“ Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat”, u shpreh Basha.

Basha solli edhe shembujt e vendeve më të zhvilluara me Senat SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia vende me parlament me dy dhoma.

Pesë ndryshime sipas kreut të PD për të realizuar këtë reformë janë:
“Ndryshimi i parë, kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur.

Ndryshimi i dytë, tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg.

Ndryshimi i tretë, financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë.

Ndryshimi i katërt, identifikim, votim dhe numërim elektronik. Do t’i bëjë zgjedhjet më të ndershme dhe rezultatin më të shpejtë.
Ndryshimi i pestë, sistemi. Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë”, tha Basha.

Basha deklaroi se mënyra e zhvillimit dhe rezultati i zgjedhjeve ndikon direkt në jetën tonë. Me një rezultat të ndershëm tha ai përfitojnë të gjithë shqiptarët.

Artikulli paraprakHelmimi në shkollën e Fierit, nxënësi i akuzuar: Shoku ka pas një anti-djersë në çantë, na kanë akuzuar kot
Artikulli tjetërTetë punonjës ngjiten në majë të kullës, kërcënojnë se do të hidhen