Basha: Monopole edhe tek mielli, buka e shqiptarëve

Varfëria dhe papunësia e ka gjunjëzuar Hasin. Tregtarët e Krumës i thonë Lulzim Bashës se kalojnë ditë dhe javë pa shitur asgjë. Dimri i ftohtë ka mbërritur dhe çmimi i miellit dhe i druve është dyfishuar.
“Njerëzit ndjekin mundësinë për të qenë të lumtur vetë, jo t’ia përcaktojë shteti, t’i do ecësh përpara, t’i nuk do ecësh përpara, t’i do ndërtosh biznes, t’i nuk do të ndërtosh biznes, t’i do marrësh subvencione, t’i nuk do marrësh subvencione. Kësaj do t’i japim fund dhe bashkë me të gjithë shqiptarët e ndershëm do të ndërtojmë një shoqëri, ku përpara të eci më i zoti, më i miri dhe të gjithë të jenë të barabartë para ligjit”, u tha Lulzim Basha banorëve të Krumës që ankohen për mungesën e shanseve e të mundësive për punë e shkollim.
Hasi ka rreth 8 mijë banorë dhe mbi 50 për qind e popullsisë mbahet me ndihmë ekonomike. Ndërkohë qeveria po shpenzon 850 milionë lekë për fasadën e qytetit. Me demokratët e Hasit, Basha foli për ndryshimin e politikës që duhet të sjellë ndryshimin e realitetit.
“Shqipëria po përjeton ditë dramatike, të varfërisë, të papunësisë, që është thelluar nga një politikë e papërgjegjshme që ka vrarë shpresën e që po i detyron shqiptarët më shumë, e më shpejt se kurrë më parë, të braktisin vendin e tyre. Pse është thesi i miellit këtu dyfish më i shtrenjtë se përtej Qafës së Prusht?! Pse? Sepse ka monopole. Le ta themi edhe më qartë që ta kuptojnë edhe fëmijët 12-vjeçar. Sepse Edi Rama ka vendosur që në Shqipërinë e 2016-ës mielli, buka, sheqeri, vaji, nafta të mos tregtohen siç tregtohen kudo në botë me rregullat e tregut të lirë, po t’ua japë një grusht njerëzish, një grusht njerëzish të kenë mundësinë dhe çdo kush tjetër që futet në treg ndëshkohet, penalizohet, me gjoba, me kontroll, me xhandar, me tatimor, me doganier”, tha Basha.
Basha theksoi se shqiptarët arrijnë të ecin përpara e të kenë sukses në Europë e në Perëndim, atje ku garantohen kushtet e barazisë para ligjit, ku respektohet puna, merita, mundi, aftësia.
“Shikoni të afërmit tuaj kudo ku kanë shkuar në Perëndim. Këtu sado i aftë dhe i përkushtuar ndaj punës dhe zanatit tënd të jesh, shteti është ai që vendos nëse do të ecësh përpara apo jo, do të kapesh pas shtetit, do të kapesh pas drejtorëve, do të kapesh pas ministrave, duhet të kapesh pas Kryeministrit që të bësh përpara, vetë nuk bën dot përpara”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se, demokratët duhet të qendrojnë pranë njerëzve, të njohin realitetin e tyre, të vërtetat e tyre.
“Po, jemi gati duke njohur hallet tuaja, duke i pranuar ato, duke pranuar edhe pjesën tonë të përgjegjësisë për sa na takon. Jemi gati, duke i kuptuar, duke i ndjerë si hallet tona e jo duke jetuar në një botë të veçuar nga hallet tuaja. Jemi gati, sepse kemi zgjidhje, zgjidhje plotësisht të realizueshme, jo dëngla me shëndetësi falas dhe me premtime boshe që u përdorën vetëm për të marrë votat. Jemi gati, sepse kemi vullnetin që t’i përvishemi që ditën e parë misionit të shenjtë të Partisë Demokratike. Shqipëri për shqiptarët, qeverisje për qytetarët! Taksa të ulëta, buxhet për qytetarët, asnjë familje pa bukë, ujë dhe drita, zhvillim ekonomik, duke i dhënë mundësinë çdo kujt që të ecë përpara në bazë të aftësisë, mundit dhe djersës së vet. Më i miri do të çajë përpara, por çdo kush do të mbështetet nga qeveria e ardhshme, nga shteti i shqiptarëve”, tha Lulzim Basha.

Nuk do të lejojmë barrikadën për Kukësin

Varfëria në Kukës ka arritur në një shkallë të panjohur më parë. Gjysma e familjeve të qytetit janë të regjistruara në listën e ndihmës ekonomike. Dhe një goditje tjetër pritet nga taksa e Edi Ramës për rrugën e “Kombit”, që do ta dyfishojë çmimin e biletës së udhëtimit dhe do të rrisë kostot në çdo drejtim, duke e shtrenguar akoma më shumë jetesën atje. Lulzim Basha u takua me demokratët e Kukësit dhe angazhua për të mos e pranuar këtë taksë.
“Nuk mjafton fakti që nuk ka hapur një vend të ri pune në Kukës, nuk ka bërë një investim në Kukës. Por tani dëshiron t’i vendosë Kukësit një rrethim, një barrikadë, një mur në formën e taksës për rrugën e “Kombit”. Pse duhet të paguajnë kuksianët taksë për rrugën e “Kombit” ?! Pse duhet të paguajnë kuksianët taksë për rrugën e “Kombit” kur secili prej nesh paguan 240 lekë shtesë taksë për karburantin që me ardhjen e Edi Ramës. Ne nuk do të lejojmë vendosjen e një takse që do të ndalojë qarkullimin e lirë midis Kukësit dhe Tiranës, midis Prishtinës dhe Tiranës. Rrugën që e ndërtuam me kaq sakrificë e përkundër përpjekjeve për ta penguar, do ta kemi jo vetëm rrugën e “Kombit”, por rrugën e kombit të lirë dhe rrugën e lirë të kombit, për qytetarët dhe mallrat shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Lulzim Basha.
Duke u ndalur në analizën e gjendjes së rëndë të vendit dhe nevojës për ndryshim, Basha vuri theksin tek detyra që u del përpara demokratëve, për ta ndryshuar në radhë të parë Partinë Demokratike. Basha tha se qeverisja aktuale degjeneroi në gjendjen e sotme, sepse i braktisi qytetarët, dhe e lidhi fatin e saj me krimin e me një grusht njerëzish e klientësh.
“Hallka e dobët është fakti se politikani me sistemin aktual nuk e ka të lidhur fatin e tij me qytetarin. Ka humbur çdo lidhje me realitetin, sepse fatin e tij nuk e ka të lidhur më me qytetarët. Këtu duhet të ngulemi fort ne demokratët e të nxjerrim konkluzionet tona. Së pari, ne nuk mund të lejojmë kurrë që ne demokratët të humbim lidhjen me realitetin, të humbim lidhjet me qytetarët, të jetojmë një realitet që ska lidhje me hallet dhe problemet e tyre. Detyra jonë e parë është të jemi afër njerëzve, t’i kuptojmë dhe t’i prekim hallet që ata prekin në mënyrë të përditshme e të bëjmë gjithçka për t’u ardhur atyre në ndihmë”, deklaroi Basha.

Artikulli paraprakErdhe si shpëtimtar, po ikën si varrmihës
Artikulli tjetërRenzi: Nuk mendoja se më urrenin aq shumë