Basha i anatemuar nga “balta” vendase dhe i përqafuar me mirënjohje nga Perëndimi

Nga Namir Lapardhaja

Votimi në mënyrë unanime nga Parlamenti Europian i Rezolutës së “Bashës” për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës, tregoi se për Perëndimin Lulzim Basha është një bashkëpunëtor i rëndësishëm dhe i besueshëm.

Ndonëse i anatemuar dhe i sulmuar nga politika vendase në mënyrën më të paskrupullt, duke synuar ta lidhin me rublat ruse, apo më keq akoma duke bashkëpunuar me agjentët të rëndësishëm të FBI-së për ta bërë pis dhe për ta djegur politikisht, angazhimi i kësaj periudhe i kreut të PD-së, duke arritur pikën kulmore në votimin e ditës së sotme, tregoi se çdo gënjeshtër sado që të zgjasë, në fund do të përfundojë dhe e vërteta do të triumfojë.

Përqafimi i Kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, mirënjohja e shprehur në emër të popullit të tij, por edhe falënderimi i përzemërt për punën e jashtëzakonshme nga ana e Presidentit të Këshillit të Europës, profilizojnë qartësisht një optikë tjetër të figurës politike të Lulzim Bashës.

Në ‘Podcastin’ e fundjavës që lamë pas, veç të tjerash, Basha përmendi se Berisha dhe Rama kishin bërë gjithçka për ta bërë pis angazhimin e tij për Ukrainën, madje duke i përmendur sërish çështjen McGonigal, edhe pse ajo tashmë është sqaruar dhe nuk ka asnjë diskutim se ishte një farsë e ndërtuar keq, por që, fatmirësisht, drejtësia amerikane arriti ta demantojë përfundimisht, mirëpo edhe kësaj radhe nuk ia kanë arritur ta eklipsojnë dhe ta venisin angazhimin e tij, sepse koha punon në favor të së vërtetës.

Pavarësisht suksesit dhe angazhimit të sotëm në Parlamentin Europian për Lulzim Bashën ngelet sfidë ringritja e Partisë Demokratike, kurimi i plagëve të saj nga lufta vëllavrasëse e stërzgjatur dhe shndërrimi i saj në një alternativë të besueshme për shqiptarët.

Sigurisht që nuk e ka të lehtë, por koha punon në favorin e tij, duke i rrëzuar një e nga një të gjitha akuzat e gënjeshtërta të ndërtuara nga propaganda e korrupsionit 34-vjeçar dhe duke i dhënë përditë të drejtë në gjithçka që ka punuar dhe vepruar në dy vitet e fundit.

Artikulli paraprak“Faleminderit për punën e jashtëzakonshme”, Presidenti i KiE i shpreh mirënjohje Bashës pas miratimit unanim të Rezolutës
Artikulli tjetërBasha në KiE: Halli i Serbisë nuk janë serbët në Kosovë por aneksimi i veriut, i cili dështoi me sulmin në Bajnskë