Basha: Bizneset do të jenë prioriteti im në qeveri! Mos u dekurajoni, qëndroni fort, bashkë do ta ndryshojmë

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka vizituar një punishte artizanati në Kukës, ku ka dëgjuar dhe parë nga afër problemet e zonjës Hate Ora, që ushtronte biznesin.

Zonja Ora, që kishte fituar disa çmime edhe jashtë Shqipërisë për punimet e saj të bukura, tha se nuk kishte marrë asnjë ndihmë nga shteti në kushtet kur ky biznes kishte nevojë të zhvillohej sepse ishte art dhe kënaqësi në radhë të parë. Basha garantoi se qeverisja e PD nuk do të linte askënd pa mbështetje dhe sidomos gratë dhe vajzat.

“Këtu qenka edhe punishte, edhe shkollë, edhe ekspozitë , tha Basha duke parë punimet e ekspozuara nga zonja. – Kënaqesh të të shohësh e të dëgjosh ty që flet me gjithë këtë pasion për punën.

Situata ekonomike, gjendja shumë e rëndë ekonomike dhe në këtë gjendje shteti ka nevoja të veçanta. Ju jeni ngjitur me Kosovën. Dhe po lexoja dje, ndihmën që jep qeveria e Kosovës për të gjitha bizneset, për të gjithë njerëzit në marrëdhënie pune…

Kosova ka gjysmën e buxheti të Shqipërisë dhe prapëseprapë ka ndarë paketën e parë, të dytë, të tretë…Maqedonia po ndan të katërtën. I vetmi vend me ndihmën më të ulët ekonomike në Europë mbetëm ne dhe kjo ka shkaktuar një vuajtje dhe dhimbje të jashtëzakonshme dhe ju e dini vete, se Kukësi është në krye të listës së papunësisë dhe varfërisë.

Në këto kushte qeveria duhet të ndihmojë, se qesja po zgjidhet vetëm për nëj grusht njerëzish që po marrin paratë dhe taksat e shqiptarëve ndërkohë që shumica njerëzve nuk po marrin asgjë në këtë kohë. Kjo është e papranueshme, njerëzit e punës duhet mbështetur.

Rruga e vetme për t’i dalë përpara kësaj te keqeje është ajo që kemi propozuar prej marsit. Paketa ndihme dhe financiare për të gjithë familjet në nevojë, veçanërisht për biznesin.

Dua të të jap kurajo ty dhe në veçanti të gjitha zonjave sipërmarrëse të Kukësit e të gjithë Shqipërisë faleminderit ju që jeni shembull i punës, inovacionit dhe kurajos dhe ju them se të keni shpresë dhe besim se gjërat do të ndryshojnë, do të keni një qeveri në krahun tuaj! Dhe prioriteti i asaj qeverie, i qeverisë së ardhshme, prioriteti im do të jetë ndihma direkte për familjet në nevojë dhe sipërmarrjen”.

Artikulli paraprakParaja prej letre drejt zhdukjes, si do të paguajmë në të ardhmen
Artikulli tjetërPiktori humb jetën nga Covid-19, miku i tij rrëfen bisedën e fundit