Bari kërkon Migjen Bashën

Bari kërkon Migjen Bashën. Mesfushori është kthyer këtë sezon në një pikë kyçe për trajnerin Stefano Kolantuono që dëshiron ta kthejë më shpejt nga sa parashikohet nga grumbullimi i Kombëtares Shqiptare. Natyrisht as që bëhet fjalë që, mesfushori të mungojë për ndeshjen zyrtare me Italinë, por siç raportojnë mediat përtej Adriatikut, klubi ka nisur kontaktet me Federatën Shqiptare të Futbollit për të bërë të mundur që ta ketë 30-vjeçarin në dispozicion për ndeshjen me Barin e vlefshme për javën e 32-të të Serisë B, e cila luhet të dielën e 26 marsit. Në këtë mënyrë, Basha do të humbiste ndeshjen miqësore me Bosnje Hercegovinën, e cila luhet dy ditë më pas në “Elbasan Arena”.
Megjithatë, vlen të theksohet se gjithçka është në kuadrin e një tentative të klubit puljez për të bindur Federatën Shqiptare që ka të drejtë për të mbajtur futbollistin, dhe vetëm në rast të një miratimi nga stafi teknik i Kombëtares dhe drejtuesit e Federatës, Basha mund të lërë kuqezinjtë për t’u vënë në shërbim të klubit. Precedentët në fakt nuk mungojnë dhe një i tillë ishte rasti i Ledian Memushajt, që majin e kaluar pas një marrëveshje me Peskarën la vendgrumbullimin e Kombëtares Shqiptare në Austri për të ndihmuar Pescarën në sfidën e play ofit me Novarën për ngjitjen në Serinë A.
Milot Rashica në “radarët” e Napolit si zëvendësues i spanjollit, Jose Maria Callejon. 20-vjeçari, pjesë e Vitesses në Eredivisje, mbetet një nga të rinjtë cilësorë që drejtuesit e Napolit kanë piketuar për të ardhmen. Rashica, i dalindjes 1996, vlerësohet për shpejtësinë dhe cilësitë e tij teknike. Driblues i shkëlqyer në situatat një kundër një, futbollisti i përfaqësueses së Kosovës konsiderohet si pasuesi ideal i Callejon.
Edhe pse statistikat e këtij sezoni tregojnë që nuk shënon shpesh, teksa e ka gjetur vetëm dy herë rrugën e rrjetës, në të paktën nëntë raste ka shërbyer shokët para portës kundërshtare. Në fakt, interesimi i Napolit për talentin shqiptar nuk është surprizë, pasi edhe gjatë vitit të kaluar është folur shumë për mundësinë e transferimit të tij në Serinë A. Gjatë merkatos verore mund të jetë momenti i duhur për një tjetër hap cilësor në karrierën e Rashicës, i cili në dy sezonet e fundit në Eredivisie ka mundur të shënojë 10 gola.

Artikulli paraprakDilema tek Italia
Artikulli tjetërSinjali i Gjermanisë: Më pak eksport armësh drejt Turqisë