Barça dhe United, fitore dhe spektakël

Barcelona dhe Manchester United dhuruan gola të shumtë, por dhe fitore për dy tifozeritë e tyre në miqësoret e zhvilluara këtë të shtunë. Katalanasit të impenjuar në Champions Cup mundën 3-1 Celtic-un, në një 90 minutësh që në fakt u zgjidh që në pjesën e parë, e cila ishte spektakolare. Me Messin e Suarezin në fushë ekipi blaugrana e pati gjithçka të thjeshtë, me Arda Turanin që realizoi me një goditje mjaft të bukur në hyrje të zonës që në minutën e 11-të. Celtic, që ka nisur prej kohësh sfidat zyrtare për këtë sezon arriti të barazojë shifrat pas një gabimi trashanik në mbrojtjen e katalanasve, që Grifith e shfrytëzoi maksimalisht.
Gjithsesi po një tjetër gabim, këtë herë i skocezëve me Ambrose i dha mundësinë Barcelonës për të kaluar në epërsi. Rezultatin përfundimtar ndërkohë e vulosi El Haddadi që shënoi në fundin e pjesës së parë pas një asisti të Suarezit, duke i dhënë fitoren që ndeshjen e parë të Champions Cup skuadrës së Enriques.
Man. UTD i Mourinhos gjithashtu mundi të fitojë miqësoren e tij 5-2 ndaj Galatasaray-t me Ibrahimoviç që bëri një superparaqitje në debutim teksa shënoi me stil gërshërë që në minutën e 2-të, duke i treguar të gjithëve se pavarësisht moshës mbetet gjithmonë një investim te i cili duhet besuar. Gumus dhe Sneijder përmbysën rezultatin në pjesën e parë, por në të dytën United dominoi duke shënuar plot katër herë, me Rooney që ishte autor i një dygolëshi, ndërsa realizuan dhe Mata e Fellaini.

Artikulli paraprakZidane jep siguri
Artikulli tjetërGameiro prezantohet te Atletiko Madrid