Barbarizëm stalinist mbi objektet e kultit dhe besimit fetar

Nga Bujar NISHANI

Para pak ditësh një sjellje vandale e Bashkisë së Tiranës mbi territorin e Selisë Qëndrore të Tarikatit Halveti Bektashi në qendër të Kryeqyterit, risolli në kujtesën e turpit, barbarizmin e rregjimit stalinist shqiptar mbi vendet e besimit të shqiptarëve.

Dhuna policore e pasuesve të ish stalinistëve shqiptarë ju rikujtoi edhe njëherë shqiptarëve, se bijtë e baballarëve që i vunë minat, kazmën dhe buldozerët, kishave e xhamive, teqeve e faltoreve, janë përsëri “të fortë”, “të gjithpushtetshëm”, “të dhunshëm”, ndihen “mbi Zotin” e mbi këdo tjetër, në këtë tokë!

Nuk ishte aspak koincidencë që ky akt barbar i Bashkisë së Tiranës mbi pronën e ligjëshme të një Tarikati të nderuar përkoi me adresimin rrugaçëror e përçmues të shefit të rilindsave ndaj besimtarëve shqiptarë duke i quajtur ceremonitë e faljes dhe adresimit në Zot në xhamitë dhe kishat e Shqipërisë si “grumbullime” që duhen ndaluar nga pandemia!

Gjuha vulgare dhe fyese e kryerilindsit dhe sulmet barbare mbi territorin e Tarikatit Halveti në Tiranë prej buratinëve që na janë bërë “peshqesh” mbi shpinën tonë, tregon se sa e rëndë është urrejtja dhe përçmimi që ky sekt anarkistësh ka ndaj popullit në përgjithësi e besimtarëve të Zotit në veçanti.

Perceptimi i parë që të krijohet nga këto ngjarje të rënda publike është ai i trashëgimisë, së këtyre pinjollëve të asaj gjenerate që pushkatoi e vari në litar priftërinj e hoxhallarë, baballarë e dervishlerë, poetë e shkrimtarë!

Trashëgimi e ideologjisë së partisë shtet, e shtetit policor, e dhunës mbi besimin, e barbarisë mbi urtësinë, e vandalëve mbi qytetarinë.

Por duke u menduar e analizuar pak më gjatë mbi kulturën e këtij grupimi anarkistësh, rrugëtimin e tyre përmes pushtetit, modelin politik dhe moralin korruptiv, të demonstruar në këto 20 vitet e fundit, kupton se gllabërimi i hapësirave, territoreve, pronave (publike e private, pa dallim) është makutëria e tyre pambarim dhe e pandalëshme.

Prona e Selisë Qëndrore të Tarikatit Halveti është e lidhur përjetësisht edhe me trashëgiminë e Sheh Muamer Pazari, pasardhës i një prej familjeve patriote më të vjetra Tiranse që ringriti e rihapi Teqenë Halvetie në kryeqytet pasi i rezistoi dhunës kriminale 50-vjeçare, të etërve stalinistë të pinjollëve të sotëm rilindsa.

Pronat e shqiptarëve, pronat e tiransve, pronat e besimeve fetare sot janë të rrezikuara e në qendër të synimeve të Mafias së ndërtimit e të çirakëve të saj që kanë zaptuar zyrat, pushtetin, vetë Shtetin!

Janë të shumta rastet kur pronat e familjeve tiranse janë grabitur jo vetëm prej pushtetit stalinist të etërve (që ende refuzojnë ti kthejnë) por edhe sot prej bijve rilindsa.

Planet barbare për ndërtimet e kullave tek hapësira e Liqenit të Tiranës u stopuan përkohësisht prej revoltës së një grupi të shoqërisë civile, por lulishtja dhe parku i lojrave të fëmijëve, “7 xhuxhat” u gllabërua nga korrupsioni “mes ditës për diell”.

Tashmë mesa duket hapësira e artë pas Pallatit të Kulturës është në shënjestrën e rradhës së Mafias së ndërtimit dhe preokupimit të qeveritarëve për “të mirën e popullit”.

Për këtë nuk kursehet as territori dhe hapësira e ligjëshme e Selisë së Shenjtë të Tarikatit Halveti.

Nuk ka dyshime se ateistët shqiptarë nuk kanë respekt ndaj besimit e besimtarëve, nuk kanë pendesë për trashëgiminë kriminale të etërve, nuk kanë moral qytetarie e trashëgimie kulturore, nuk kanë asnjë sens civilizimi apo qytetarie.

Por kjo nuk përbën ndonjë merak të madh.

Ata janë ata që janë!

Bij të denjë të baballarëve zjarrvënës!

Ajo që po formësohet me shpejtësi si kërcënimi real ndaj shqiptarëve është “trimëria” e tyre karshi ligjit, tallja e tyre ndaj institucioneve ligjzbatuese, mungesa e frikës ndaj drejtësisë !!!!!

Kjo ndodh sot, sepse akti barbar i pak ditëve më parë i Bashkisë së Tiranës as nuk e lëvizi nga kulla e ngujimit prokurorinë shqiptare.

Një grup vandalësh me uniformën e shtetit i turren me dhunë objektit të kultit, shkulin e ndukin, rrëzojnë e dhunojnë pa paraqitur asnjë shkresë, asnjë akt, asnjë vendim institucional dhe prokuroria fle gjumë.

Ky gjumë i prokurorisë shqiptare përballë këtyre akteve, sot është as më shumë e as më pak, por bashkëpunim me dhunuesit.

Prandaj dhe dhunuesit sot ndihen “trima” dhe të paprekshëm.

Dhunuesit duhet ta dinë sëpaku, se kjo nuk do të zgjatet dot pafundësisht !

Jo vetëm ata policë mjeranë që vihen në dispozicion si kamikazë politik të urdhëruesve të márrë, por vetë urdhëruesit e dhunës dhe antiligjit nuk do ti ikin dot pafundësisht ligjit!

Historia e ka provuar këtë shpeshherë!
#TëRingremëShqipërinë 🇦🇱

dh

Artikulli paraprakReforma Zgjedhore: 3 kërkesat e opozitës!
Artikulli tjetërRaporti i Këshillit të Europës: Edi Rama ka urdhëruar mbyllje emisionesh dhe mediash kritike ndaj tij