Banorët e Durrësit protestë para Prokurorisë: Po na rrezikohet jeta në pallatin e dëmtuar nga tërmeti

Banorët e një pallati në qytetin e Durrësit kanë protestuar sot para Prokurorisë së qytetit pasi po rrezikohen nga shembja e pallatit të dëmtuar nga tërmetit. Sipas ekspertëve që bënë inspektimin e dytë, pallati nuk mund të rikonstruktohet, por duhet të shembet.

Banorët epallatit nr.8, në lagjen nr.5 kërkojnë shembjen e godinës për shkak të rrezikshmërisë që ajo shfaq, nga ana tjetër autoritet shtetërore shprehen se do të bëhet vetëm rikonstruksioni i pallatit.

Ky ngërç ka ngelur i pluhurosur në dosjen që ndodhet në sirtarët e prokurorisë së Durrësit, të cilët kanë mbi një vit që po ‘hetojnë’ dhe nuk kanë dal ende në një përfundim. Banorët e revoltuar kërkojnë më shumë informacion nga prokuroria mbi vendimin e bashkisë për të rikonstruktuar pallatin e dëmtuar rëndë.

“Është çështje shumë e komplikuar. Shumë herë e kemi ngritur problemin në pushtetin vendor dhe përgjigjja që kemi marrë është heshtja. Ne i kërkojmë prokurorisë të na jap informacion dhe të zgjidhë problemin tonë”, shprehet një banor i pallatit.

“E drejta e informimit është e drejtë themelore në të gjitha vendet e botës. Jam pesionist marr një pesion qesharak dhe kanë paguar me taksat e mia gjithë jetën këta prokurorë, që nuk na japin as informacion. Pallati është për t’u shembur, pasi erdhën ekspertët nga Instituti dhe topografët, në vlerësimin e dytë të bërë, pohuan se pallati nuk mund të rikonstruktohet. Ne akoma nuk kemi marr informacion për këtë çështje nga ana e prokurorisë”, shprehet një i moshuar banor i pallatit.

Artikulli paraprakÇfarë po ndodh në Mianmar
Artikulli tjetërEksperti Ndriçim Mehmeti në një bisedë të shkurtër tregon se si do të ndryshojë trajtimi i mësuesve me programin qeverisës të PD