Bankat nuk plotësojnë kërkesën e qeverisë, rritet interesi i obligacionit dy vjeçar

Qeveria nuk e plotësoi dje kërkesën për financimin e një obligacioni dyvjeçar, si rrjedhojë interesi pësoi një rritje prej 0.1 pikë përqindje.
Ministria e Financave kërkoi një financim 4.5 miliardë lekë, por u pranuan vetëm 3.6 miliardë lekë për të shmangur interesin në rritje që ofruan bankat si rezultat i interesit të kufizuar për të blerë borxhin e qeverisë me maturim dy-vjeçar.
Gjithsesi interesi i obligacionit dyvjeçar është 1.16 pikë përqindje më i ulët se në muajin janar të këtij viti.
Qeveria po përfiton interesa më të ulëta nga borxhi i brendshëm për shkak të likuiditetit të bollshëm që disponohet nga bankat. Ngërçi i kredisë i ka bërë letrat e borxhit qeveritar mjetin kryesor të investimit për bankat.
Të njëjtën mënyrë investimi kanë gjetur edhe individët, të cilat dy vitet e fundit kanë zhvendosur depozitat në afat në blerjen e Bonove të Thesarit dhe obligacioneve për shkak se këto ofrojnë interesa më të larta se depozitat në banka.
Interesat kanë ardhur në rënie për të gjitha afatet e maturimit të borxhit të qeverisë krahasuar me fillimin e vitit.
Në muajin maj interesi i Bonove 12-mujore shënoi 1.95 për qind, ndërsa në muajin janar të këtij viti ishte 3.18 për qind.
Interesat kthyen kah në fundin e muajit janar, duke përfunduar trajektoren rritëse që kishte mbizotëruar në pjesën e dytë të vitit të kaluar. Ulja e yield-eve ka reflektuar përmirësimin e raportit ofertë/kërkesë.
Banka e Shqipërisë ka analizuar se kërkesa e qeverisë për financim ka qenë e lartë në tremujorin e parë, por pjesëmarrja dhe oferta e bankave në ankande është rritur, duke diktuar prirjen rënëse tek yield-et.

Artikulli paraprakMcCain: Do të kthehem shpejt
Artikulli tjetërTrump i jep fund një programi të CIA-s