Baltosje apo krim?!

Nga Ilir ALLKJA
Mjek

Rastësisht lexova që drejtori i Urgjencës Kombëtare paska deklaruar në një debat televiziv se ekipet e urgjencës shkonin me vonesë në vendngjarje, nga meraku se mos i akuzonin për vjedhje të sendeve personale.

Si pjesëtar i ekipeve të urgjencës në terren e jo si karrigembajtës unë i hedh poshtë këtë shpifje.

Nuk ka ndodhur kurrë të shkojmë me vonesë me dashje, në ndonjë aksident apo vendngjarje tjetër ku ka patur të lënduar!

Kurrë, e them me përgjegjësi këtë!

Kemi shkuar me vonesë sepse kemi qenë larg, sepse kemi qenë në një mision tjetër, sepse ka patur trafik, sepse kemi patur defekt në mjet, sepse kemi pësuar vetë aksident, por kurrë me dashje.

Sqaroj opinionin se shumica e ekipeve mjekësore shkojnë në punë për të permbushur misionin e tyre në shërbim të jetës e jo për të vjedhur të sëmurët.

Asnjë ekip mjekësor nuk shkon në vendngjarjet ku ka të lënduar me mendjen për të vjedhur, por për të shpëtuar jetë.

Minutat bëjnë diferencën në ruajtjen e jetës së të lënduarit, por edhe cilësisë së saj, dhe çdo urgjentist e di shumë mirë këtë, kështu që nuk ka vend për të pritur ardhjen e policisë për të ndihmuar viktimat.

Shkuarja me vonesë në një vend-ngjarje është me pasoja të rënda për viktimën, është krim, është i dënueshëm, për pasojë duhet paditur.

Ju qenkeni në dijeni të krimeve të tilla dhe nuk i paskeni paditur z. drejtor!?

A e keni të qartë se në një vend normal, ju do të ishit në teleshe me këto që keni deklaruar, por meqenëse jemi në Shqipëri, telashet ndjekin ata që punojnë!

Dhe meqenëse ju jeni drejtor i urgjencës kombëtare, duhet doemos të kishit marrë masë për “këtë ekip” e jo ta servirnit si shembull për të mbrojtur krimet që ndodhin nëpër spitale nga TIRE&CO.

Ah, po harrova, ju e çeta juaj, jeni gjithmonë gati për të linçuar e dënuar ata që punojnë, por dhe ju kritikojnë për mangësitë, ndërsa ata që ju servilosen, ata që shkelin ligjet “s’ka zot që t’i prekë me dorë”, tamam siç ka deklaruar kryeministri juaj i zi!

 

Artikulli paraprakGrida Duma vijon takimet: Përdoret çdo mjet për të vjedhur e zhvatur!
Artikulli tjetërTirana u duhet kthyer shqiptarëve!