Ballkani: BE, zhvillim demokratik dhe lëvizje sociale

“OBC Transeuropa”

Qysh kur procesi i Berlinit ka filluar në vitin 2014, Ballkani është kthyer në qendër të kronikave ndërkombëtare në raport me rrezikun e sigurisë për shkak të flukseve migratore në rrugën ballkanike, si terren konfrontimi midis penetrimit politik rus dhe ekspansionit të NATO-s, prej frikës së radikalizimit islamik, përveçse prej ritheksimit të tensioneve bilaterale si ato midis Beogradit e Prishtinës apo Beogradit e Zagrebit dhe skenareve të Shqipërisë së Madhe. Në këtë kontekst, maturia me të cilën Bashkimi Europian i është përgjigjur forcimit apo zgjatjes së thjeshtë të qëndrimeve autoritare nga ana e liderëve të rajonit i ka shtyrë disa ekspertë ndërkombëtarë që të krijojnë shprehjen “stabilitokraci”, një ripërshtatje e dilemës së vjetër midis mbështetjes ndaj një statuskuoje autoritare, por e përqendruar mbi zhvillimin, të kundërvënë ndaj stimulimit të forcave demokratike, por potencialisht destabilizuese.

Rreziku i euroskeptizmit

Siç është e njohur për vetë institucionet europiane, procesi i europianizimit të Ballkanit, siç ka ndodhur tashmë me zgjerimet e mëparshme, rrezikon të kufizohet në harmonizimin e kuadrit juridik pa gjeneruar transformime demokratike të thella. Një shembull domethënës është ai i ruajtjes së lirisë dhe i pluralizimit të mjeteve të informimit, ndaj të të cilit pothuajse të gjitha vendet e rajonit mund të gëzojnë normativa në përputhje me standardet europiane pikërisht ndërsa liria e medias dhe aksesi ndaj informacioneve në mënyrë konstante janë të kufizuara ose të kërcënuara. Megjithatë, rreziku më i keq është se, përballë një impenjimi demokratik vetëm fasadë nga ana e liderëve kombëtarë, të krijohet një dizafeksion ndaj perspektivës europiane prej qytetarëve të 6 vendeve të rajonit ende jashtë Bashkimit Europian (Serbi, Mal i Zi, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë). Natyrisht, euroskepticizmi vendor do të vinte e ta rëndonte humbjen e shtytjes politike të procesit të zgjerimit, që i detyrohet krizës së brendshme të Bashkimit Europian dhe ngurrimit nga ana e vendeve anëtare për ta kompletuar procesin. Deri më tani Komisioni Europian ka treguar impenjim në përfshirjen e palëve sociale të interesuara: biznese, universitete, qeveri vendore dhe OJQ të rajonit. Edhe procesi i Berlinit, duke filluar nga viti 2015, ka integruar në aktivitetet e veta forumin e shoqërive civile, një hapësirë konfrontimi dhe përpunimi propozimesh konkrete nga ana e shoqërive civile, të drejtuara përfaqësuesve institucionalë të mbledhur në samitin ndërqeveritar. Por bartësit e interesave në rajon janë akoma pak të rrënjosura sa për të qenë vërtet agjentë ndryshimi. Kurse Brukseli lodhet që të raportohet me shtytjet nga poshtë që vijnë nga shoqëritë dhe sidomos nga lëvizjet sociale. Proceset që kanë pasuar në të gjitha vendet e rajonit me kadencë të rregullt evidentojnë mosdurimin në rritje ndaj vazhdimit të korrupsionit e klientelizmit dhe janë bartës mesazhesh të rëndësishme për integrimin europian të vendeve të rajonit; mesazhe që qytetarët nuk arrijnë t’i materializojnë nëpërmjet sistemit politik. Denoncimet për mashtrime elektorale, shkeljet e lirisë së shtypit dhe abuzimet me pushtetin nga ana e institucioneve janë sinjale të rëndësishme për t’u monitoruar dhe grumbulluar.

Mobilizimet civile në rajon

E kanë treguar shumë mirë protestat dhe të ashtuquajturat plenume të organizuara në Bosnje-Hercegovinë në vitin 2014, ndaj të cilave përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Valentin Inzko fillimisht iu përgjigj me alarm, duke folur për dërgim të forcave të sigurisë. Këto eksperimente deliberative fatkeqësisht nuk kanë gjetur artikulim politik në vend, që mbetet akoma sot i dominuar nga partitë politike të markës etno–kombëtare. Megjithatë, protestat kanë nxjerrë në dritë vështirësitë ekonomike e sociale që mbizotëron në Bosnje, duke e inkurajuar Komisionin Europian të rimendojë prioritetet e qasjes ndaj Sarajevës. Një rol politikisht më i theksuar është mbajtur nga manifestimet që kanë pasuar në Maqedoni, duke filluar nga viti 2015. Në vijim të skandalit të përgjimeve dhe ngërçit të zgjatur institucional, i ashtuquajturi revolucion me ngjyrë e ka mbajtur lart vëmendjen e institucioneve europiane e të komunitetit ndërkombëtar dhe ka qenë vendimtar për rënien e qeverisë Gruevski, që prej vitesh e mbante nën fre vendin. Mbështetje të paktë kanë marrë deri më tani argumentimet e avancuara nga lëvizjet në Serbi. Duke filluar nga prilli i 2016, qytetarët e vendit kanë dalë në rrugë në mënyrë të përsëritur, fillimisht për të denoncuar paligjshmërinë e prishjeve në lagjen Savamala, më pas kundër parregullsive të ndodhura në zgjedhjen e Aleksandar Vuçiçit si President dhe darën ndaj mjeteve të informimit në vend. Aq më shumë e rëndë neglizhenca ndaj këtyre fenomeneve nëse mbahet parasysh se kanë pasur si lejtmotiv respektimin e shtetit të së drejtës.

Bashkimi Europian si aleat i forcave demokratike

Negociatat me institucionet europiane janë të domosdoshme për europianizimin e vendeve të rajonit dhe në mënyrë të ngjashme përfshirja e bartësve të interesit është e rëndësishme për të favorizuar strukturimin e dialogut social. Por për të rrënjosur procesin demokratik në Europën Juglindore është po aq e rëndësishme të forcohet aleanca midis institucioneve europiane dhe lëvizjeve sociale, duke grumbulluar dhe duke u dhënë vlerë instancave të shprehura. Qytetarët e rajonit mund të kenë mbështetjen e plotë të institucioneve të Bashkimit Europian kur ndeshen me nyjet themelore për konsolidimin e demokracisë si mashtrimet elektorale, shkeljet e lirisë së shtypit apo abuzimeve me pushtetin. Aq më shumë që ekzistenca e shtytjeve demokratike në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor është një sinjal inkurajues dhe me shenjë të kundërt kundrejt zgjatjes së problemeve të mirënjohura që prekin zonën.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakPo Rama, Tahiri, Beqja, Veliaj, Nushi, pse mungojnë në listën “në emër të popullit…”
Artikulli tjetër“Fëmijët e njerkës” të kontinentit