“Babalja” i vuri poshtë të gjithë, Manjani: Rama nervoz, Prokuroria nën tutelën e ministrit të Brendshëm

Ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani i ftuar në emision ‘Kjo Javë’ në News24, lëshoi akuza të forta në drejtim të Prokurorisë, ndërsa tha se, Arta Marku po vepron si militante. Manjani u shpreh se, zhvillimet me dosjen “Babale” e kanë kthyer vite dritë larg demokracinë në Shqipëri.
“Këtë javë ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, e cila e ka kthyer vite dritë pas, situatën demokratike në Shqipëri. Është akuzuar një gazetar, përfaqësues i fjalës së lirë, me një akuzë idiote. Është kallëzuar për kallëzim të rremë pa bërë kallëzim”, tha Manjani, ndërsa theksoi se gazetari Jetmir Olldashi nuk ka shkuar në prokurori nuk ka bërë kallëzim edhe pse akuzohet për kallëzim të rremë.
“As në kohën e agjitacion e propagandës nuk është vepruar kështu”, theksoi Manjani ndërsa akuzoi Prokurorinë se po vepron në mënyrë krejtësisht militante, ai tha se e mëshiron prokurorin e dosjes ‘Babale’.
“E mëshiroj sepse është në hall shumë të madh, e kërcënojnë me vetting me çdo gjë, e kanë çpersonalizuar e kanë zhburërruar, po të doni ta quani kështu. E mëshiroj, nuk kam asnjë kritikë dhe asnjë fjalë, por shërbimi i prokurorisë nuk është më i pavarur dhe kjo është ngjarja numër dy e konfirmuar këtë javë, dhe e vendosur haptazi kundër fjalës së lirë”, vijoi Manjani.
“Prokuroria dhe drejtësia në Shqipëri është në presion permanent. Ka kohë që është kështu, nën presion nga klika që e qeveris, e cila kërcënon me vetting këdo që heton. Ata që kalojnë vettingun duhet të kalojnë në kryeministri. Vettingu nuk është i pavarur”, tha Manjani.

Ish-ministri Manjani komentoi edhe paketën antishpifje të propozuar nga kryeministri Rama. Manjani tha se, edhe pse po e ndërmarrin një nismë të tillë edhe vetë janë të bindur se askush nuk do të dënohet pasi, ka një listë me skandale që i pret. “Këta përpiqen t’i thonë njerëzve mos i besoni këta se janë shpifës, se këta janë burra të mirë”, u shpreh ai
“E kuptoni çfarë rrene kanë maskuar deri sot, borxhin publik. Shqiptarët duhet ta dinë që kjo qeveri i ka futur në një borxh të jashtëzakonshëm”, theksoi Manjani më tej.
Ai tha se nëse kërkojmë një shërbim të pavarur të prokurorisë, duhet t’i japim një shans reformës në drejtësi të nisur, por kjo nëse kthehemi te konsensusi i 2016.
“Sot Prokuroria është nën tutelën e Ministrit të Brendshëm, është nën tutelën e qeverisë. Drejtësia nuk vendos e pavarur, policia aq më pak. Vendos, Ministria e Brendshme”, tha më tej Manjani.
Për ish-ministrin historia “Babale” është e mbyllur pasi Agroni është në burg tashmë, por vijon më tej ai, “qeveria nuk kërkon të pranojë të vërtetën sipas tij, se Agroni është në burg dhe droga vazhdon, pasi kanë gënjyer, i thanë njerëzve se e mbyllëm drogën nuk ka më drogë”.
Pse Rama është nervoz
Në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24 me Nisida Tufën ish-ministri Manjani u shpreh se kryeministri është sot nervoz, pasi nuk po gjen dot mekanizmin për të parë opozitën dhe parlamentin e ka bosh.

“Rama ka një nervozitet këto kohët e fundit. Nervozitet që i vjen nga fakti që nuk po gjen dot mekanizmin për të parë opozitën. Ai sot është në krye të qeverisë, edhe pse sot nuk e ka shumicën e votave të shqiptarëve, pikërisht se përçau opozitën”, tha Manjani, ndërsa shtoi se sot opozita gjithnjë e më shumë po bëhet solide.
“Opozita ka ende punë për të bërë, duhet racionalizuar mirë jo vetëm reagimi opozitar por edhe përgatitja për të qeveris nesër. Në këtë nervozitet Rama hedh shashka. Unë mendoj se me këtë qeveri nuk ka asnjë arsye për tu ulur, po e zëmë se për një moment të caktuar opozita ulet me Ramën, Taulant Balla është i parë që e ha, nga Rama vetë. Fatmir Xhafaj, nuk e shtyn dot më, jo vetëm për arsye të brendshme por edhe për arsye ndërkombëtare, ka ardhur edhe memoja e Fatmirit e di ai shumë mirë, siç erdhi për Saimirin.
Dhe hedh karrema për opozitën, po ju jap KLSH, po ju jap SHIK-un, përpiqet për të futur opozitën te logjika e pazarit politik, dhe nëse partitë e opozitës së sotme bien në këtë logjikë do bëjnë gabimin më të rëndë të mundshëm dhe do jetë me pasoja shumë të rënda për demokracinë në Shqipëri. Kjo opozitë kështu si e ka nisur duhet ta bitisi e bashkuar, pa asnjë kontakt me Edi Ramën, asnjë kontakt me këtë parlament. Me djegie pa djegie mandatesh këto janë teknikalitete pa vlere”, theksoi më tej Manjani.

Image2

Artikulli paraprakVasili akuza të forta Prokurorisë: Rama është paditur 3 herë, Marku nuk e thërret, por e “përkëdhel”
Artikulli tjetërNdërkombëtarët kundër paketës “antishpifje” të Ramës