Avokati i Popullit: 20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri absolute

Institucioni i Avokatit i Popullit ka publikuar së fundmi një raport në lidhje me varfërinë. Në raportin vjetor të publikuar nga institucioni i Avokatit të Popullit theksohet se rreth 20% e fëmijëve jetojnë në varfëri ekstreme, ndërkohë që kreu i institucionit të Avokatit të Popullit Erinda Ballanca, ka kërkuar reformimin e shërbimeve sociale për të qenë më pranë të miturve që jetojnë në kushte ekstreme. “Fëmijët përbëjnë rreth 30% të popullatës. 20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në kushte jo të mira, në varfëri absolute. 21.4% në zonat rurale. 49.6% e familjeve jetojnë me më shumë se 4 fëmijë. Pjesa dërrmuese e fëmijëve të pyetur gjatë këtij sondazhi janë shprehur se e dëshirojnë të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Fëmijët që kanë entuziazmin më të madh për ta shijuar jetën nuk e shohin veten e tyre për të jetuar në këtë vend”, theksoi ajo. Duke iu referuar raporteve të monitorimit që ka kryer ky institucion në qendrat rezidenciale dhe ditore, znj. Ballanca e vë theksin në nevojën për përmirësimin e kushteve të jetesës të tyre në institucionet e përkujdesjes sociale. Avokati i Popullit çmon se vetëm duke u treguar më njerëzorë, më të kujdesshëm ndaj qytetarëve, ne do të arrijmë si shoqëri të realizojmë misionin tonë në qytetërimin perëndimor ku bëjmë pjesë. Varfëria është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot shoqëria jonë. Shumica e shqiptarëve jetojnë sot në varfëri dhe institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se përpjekjet për ta çrrënjosur këtë vulë të shëmtuar të kohës ku jetojmë, duhet të jenë preokupimi i të gjithëve, në shoqëri, institucione qeverisëse, edukim, drejtësi e kudo. Nuk ka të drejtë më themelore njerëzore sesa ajo e çdo individi për të mos iu nënshtruar skamjes, mjerimit, urisë dhe pamjaftueshmërisë.

Artikulli paraprakRaporti i BB: Shqiptarët, kampionë të dembelizmit në Europë
Artikulli tjetërIkja masive, 18 mijë azilantë shqiptarë u rikthyen më 2016