Avokatët e Trump kërkojnë një Prokuror të ri të Posaçëm për të hetuar keqpërdorimin e FBI

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se Shtëpia e Bardhë ka marrë një raport të ligjvënësve demokratë që i kundërvihet atij të ligjvënësve republikanë, i cili pretendon se FBI-ja ka bërë keqpërdorime në hetimin mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësja Sanders theksoi se për publikimin e raporit të demokratëve, Shtëpia e Bardhë do të ndjekë të njëjtin proces që çoi në publikimin e raportit të republikanëve.
Presidenti Donald Trump do të duhet të vendosë brenda disa ditëve nëse do ta çklasifikojë raportin e demokratëve.
Në një votim unanim të dy partive të hënën, anëtarët e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën ranë dakord të publikojnë raportin që tregon një pikëpamje të kundërt ndaj qasjes së përdorur për të marrë një urdhër qeveritar për të survejuar zotin Carter Page, një ish këshilltar i fushatës Trump të akuzuar për kontakte me Rusinë.
Raporti republikan kaloi përmes të njëjtit proces të miratimit të premten e kaluar, duke shkaktuar një debat të furishëm në Uashington mbi rolin e politikës në agjencinë më të lartë të zbatimit të ligjit në vend.
“Ne mendojmë se kjo do të ndihmojë në informimin e publikut për shumë shtrembërime dhe pasaktësi në raportin e shumicës (republikanëve)”, u tha gazetarëve, menjëherë pas votimit, anëtari i rangut të lartë të demokratëve në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën, Adam Schiff. “Ne duam të sigurohemi që Shtëpia e Bardhë nuk e redakton raportin tonë për qëllime politike dhe natyrisht që ky është një shqetësim i madh”.
Presidenti Trump pretendon se raporti republikan i hartuar nga Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën, Devin Nunes dhe të tjerët “e ka shpaguar plotësisht” atë për keqbërje në hetimin, që ende po vazhdon, mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhje dhe përpjekjet për pengim të drejtësisë.
Në një konferencë shtypi me gazetarët të hënën, zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah tha se avokatët personalë të presidentit kanë bërë thirrje për një Prokuror të Posaçëm të dytë për një hetim të mëtejshëm të mënyrës se si FBI-ja e ka trajtuar hetimin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
Demokratët thanë se raporti katër faqësh i republikanëve, i ashtuquajturi “Raporti Nunes”, ka një përmbajtje politike.
“Është përpjekja e fundit e republikanëve për të larguar vëmendjen nga hetimi dhe për të mbrojtur presidentin e partisë së tyre nga përfundimet një hetimi të pavarur”,tha kryetari i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer në sallën e Senatit të hënën. “Të paktën populli amerikan tani mund të shoh synimin e vërtetë të raportit të Nunesit, një dokument i pafuqishëm me pika diskutimi të Partisë Republikane”.

Shkëmbimet në Twitter

Në një koment në Twitter të hënën, Presidenti Trump sulmoi demokratin më të lartë në Komisionin për Inteligjencën, ligjvënësin Adam Schiff, duke thënë se ai “është i dëshpëruar për të kandiduar për një post më të lartë”.
Presidenti Trump akuzoi ligjvënësin Schiff se “është një nga gënjeshtarët dhe rrjedhësit e informacioneve sekrete më të mëdhenj në Uashington”, në të njëjtin grup me ish-drejtorin e FBI-së James Comey, senatorin nga Virginia Mark Ëarner, ish-drejtorin e CIA-s John Brennan dhe ish-drejtorin e Inteligjencës Kombëtare James Clapper, me të cilët Trump është grindur rreth çështjes së sigurisë kombëtare.
Ligjvënësi Schiff u përgjigj në Tëitter duke thënë se në vend se të merret me këto gjëra dhe të shpenzojë shumë kohë duke parë emisione televizive, Presidenti duhet të merret me zgjidhjen e krizës së buxhetit, emigracionin dhe problemet e tjera të vendit.
Ndërkohë, Presidenti Trump vlerësoi ligjënësin Nunes, duke thënë, “Devin Nunes, një njeri me guxim të madh dhe vendosmëri, mund të njihet një ditë si një hero i madh amerikan për atë që ai ka zbuluar dhe ato që ai ka kaluar!”
Raporti i ligjvënësit Nunes nxorri përfundimin se FBI u mbështet në mënyrë të tepruar mbi studimet e opozitës të financuar nga demokratët në një dosje të përpiluar nga ish-agjenti britanik, Christopher Steele, pasi në bazë të saj kërkoi miratimin nga një gjykatë amerikane survejimi në tetor të vitit 2016 për të monitoruar zotin Page dhe lidhjet e tij me Rusinë.
Por raporti gjithashtu vuri në dukje se hetimi i FBI-së, që përfundimisht çoi në hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, filloi muaj më parë, në korrik të vitit 2016, kur agjentët nisën të hetonin kontaktet mes një këshilltari tjetër të zotit Trump, George Papadopoulos dhe operativëve rusë. Papadopulos, si pjesë e hetimit të Prokurorit Mueller, është deklaruar fajtor për akuzën se ka gënnjyer hetuesit rreth kontakteve të tij ruse dhe, në pritje të dënimit të tij, po bashkëpunon me hetuesit.

“VOA”

Artikulli paraprak16 problemet që mund të zgjidhë hapja e Negociatave me BE
Artikulli tjetërRama, skenar të mirëorganizuar për të liruar nga burgu Shullazin