Austria, rivali i Kukësit në Europë

Europa League është habitati i preferuar i Kukësit. Falë suksesit 1-0 në transfertën e Nikshiqit, ndaj malazezëve të Rudarit, verilindorët arritën ta kalonin për herë të tretë turin e parë kualifikues në këtë kompeticion gjatë këtyre 4 viteve që kanë marrë  pjesë në Europë. 6 herë në total e kaluar turin Kukësi në kompeticionet europiane, statistika këto që tregojnë për forcën e fituesve të Kupës së Shqipërisë në Europa League. Megjithatë me kualifikimin për në ruandin e dytë tashmë misioni bëhet më i vështirë për skuadrën e Hasan Likës, sepse përballë verilindorëve në këtë fazë do të jetë Austria e Vienës, një klub me një potencial shumë më të madh ekonomik dhe shumë i njohur në arenën europiane.
Austria e Vienës është një skuadër me një histori 105-vjeçare, pasi është themeluar si klub në datën 15 mars të vitit 1911. Ata janë ekipi i dytë më i titulluar në Austri,  pasi kanë fituar 24 herë kampionatin, teksa numërojnë 8 tituj më pak se Rapidi i Vienës, ndërkohë që janë klubi që kanë bërë të tyrin më shumë herë në histori trofeun e Kupës së Austrisë, të cilin e kanë fituar në 32 raste. Në sezonin e fundit të Bundesligës austriake, ata u pozicionuan në vendin e 3-të. Austria e Vienës drejtohet nga ish-mesfushori i Bayernit gjermani Thorsten Fink, i cili në të kaluarën ka qenë trajneri i Baselit dhe Hamburgut.
Futbollisti më i njohur që luan për këtë skuadër është portieri Robert Almer, i cili ishte edhe gardiani titullar i kombëtares austriake në Euro 2016-të. Për të kuptuar se çfarë skuadre është Austria e Vienës mjafton t’u hedhësh një sy librave të historisë së futbollit. Vite më përpara, ky ekip ka mbërritur dy herë deri në gjysmëfinalet e Kupës së Kupave kompeticion, i cili tashmë nuk zhvillohet më. Në të kaluarën, Austria e Vienës është ndeshur me tre skuadra shqiptare në kompeticionet europiane pikërisht me Dinamon, Vllazninë dhe Partizanin dhe në tre rastet, ka arritur ta kalojë turin. Sëfundmi ata zhvilluan një miqësore ndaj Teutës së Durrësit, të cilën e fituan me rezultatin e thellë 7-2.
Austria e Vienës këtë sezon është rikthyer në Europë pas 2 viteve mungesë dhe ka objektiv për të shkuar sa më larg. Por pavarësisht se përballë do të ketë një kundërshtar të vështirë, Kukësi nuk është dorëzuar dhe do të tentojë të luajë si i barabartë ndaj gjigantëve austriakë. Verilindorët gjatë këtyre viteve kanë treguar se dinë të kualifikohen edhe ndaj skuadrave më të forta në letër dhe këtë herë besojnë te mrekullia.

Artikulli paraprakNATO shton 40 mijë trupa drejt Europës Lindore, gati për luftë
Artikulli tjetërMediat austriake: Teuta nën hetim