Atentati/ Humb jetën në spital ish-deputeti Pashko Ujka

Ish-deputeti dhe njëkohësisht ish-kryebashkiaku i Velipojës, Pashko Ujka humbi jetën në spital, rreth 1 orë e gjysmë pasi mbeti i plagosur rëndë.

Pashko Ujka ishte me bashkëshorten e tij kur u qëllua për vdekje pasditen e kësaj të hëne në Shkodër. Çifti i bashkëshortëve ishin pranë shtëpisë së tyre, në lagjen “Vasil Shanto”, kur një person ende i paidentifikuar e qëlloi ish-kreun e Komunës Velipojë me armë zjarri nga pas.

64-vjeçari dyshohet se u qëllua me armë me silenciator. Kjo pasi siç raporton edhe gazetarja Emi Kalaja, nga dëshmia paraprake që gruaja e tij ka dhënë, ajo është shprehur se nuk ka kuptuar asgjë. Ata po ecnin në këmbë, kur gruaja e pa të shoqin të binte përtokë. Madje duke qenë se kohët e fundit Ujka kishte pasur probleme shëndetësore ajo kishte menduar se nuk ishte ndjerë mirë.

Ujka humbi jetën në spital, rreth 1 orë e gjysmë pasi mbeti i plagosur rëndë. Ai mori plagë në shtyllë kurrizore dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk mundi të mbijetonte.

Disa vite më parë, ndaj shtëpisë në Velipojë së Ujkës u qëllua me armë zjarri, megjithatë në atë kohë pa dëmtime në njerëz.

64-vjeçari Pashko Ujka mbajti postin e kryetarit të komunës së Velipojës në vitet 2011-2015. Ndërsa më herët kishte qenë edhe deputet i Partisë Demokristiane. Megjithatë, ai nuk ishte më aktiv në jetën politike prej disa vitesh.

Artikulli paraprakBardhi: Sajesa! Nuk i kam fyer demokratët, deklaratat e mia janë publike
Artikulli tjetërMessi fiton Topin e Artë për herë të shtatë