Asnjë dëmtim serioz për Amir Abrashin

Lajme të mira nga Gjermania për Amir Abrashin. Skaneri i kryer në kokë, konfirmoi gjendjen e mirë shëndetësore të mesfushorit të Kombëtares shqiptare. Abrashi u lëndua në stërvitje, pasi u përplas në shtyllën e njërës portë me kokë dhe stafi mjekësor i Freiburg mori masa, duke e lënë pushim dhe lojtari iu nënshtrua kontrolleve të specializuara për të kuptuar, nëse ai episod i kishte shkaktuar ndonjë traumë të mundshme.
Pas pothuajse dy javësh nën vëzhgimin e mjekëve, 26-vjeçari mori edhe lajmin e mirë. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, të transmetuar më pas edhe në mediat më të rëndësishme gjermane, klubi i Freiburg njoftoi se, “skaneri nuk evidentoi asnjë dëmtim në kokën e mesfushorit”. Zyrtarët e skuadrës së Bundesligës bënë gjithashtu të ditur se, “së shpejti mesfushori shqiptar do të kthehet në stërvitje, megjithatë ende nuk është përcaktuar një datë e saktë”.
Abrashi ishte shndërruar në një titullar të padiskutueshëm te Freiburgu, që pas tetë javëve të para në Bundesligën gjermane pozicionohet në vendin e tetë. Lojtari që njihet edhe me nofkën “Pitbulli” ka luajtur 6 ndeshje në këtë sezon, ndërsa në dy javët e fundit prej goditjes së pësuar në kokë u detyrua të qëndronte pushim. Diagnoza se Abrashi gëzon shëndet të plotë është një lajm i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare, me mesfushorin që pritet të vihet në dispozicion të skuadrës, për sfidën e 12 nëntorit kundër Izraelit në stadiumin “Loro Boriçi”.

Artikulli paraprakDibala, të paktën një muaj jashtë
Artikulli tjetërJa pse dështoi kalimi i Neymarit tek PSG