Arsenali shpreson te fitimi i titullit

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, në një takim me tifozët e klubit, ka treguar bindjen e tij se skuadra duhet të luftojë për të mbyllur sezonin me një kuotë mes 82 dhe 86 pikëve. Sipas tij, kjo kuotë do të ishte e mjaftueshme që të fitonte titullin kampion në Angli. “Topçinjtë” kryesojnë renditjen në kuotën e 20 pikëve, po aq sa kanë Mançester Siti dhe Liverpuli, ndërsa është luajtur thuajse një e katërta e ndeshjeve të kampionatit.
“Unë mendoj se, kemi një skuadër konkurruese në një kampionat ku ka shumë konkurrencë. Nëse e shihni tani, kemi 20 pikë, që do të thotë se kampionati do të vendoset mes 82 dhe 86 pikëve. Por çfarë kemi mësuar që nga fillimi i sezonit është se çdo ndeshje kthehet në një betejë dhe duhet të jesh absolutisht në maksimum për të fituar”, tha ai. Arsenali e ka kaluar dy herë në historinë e tij këtë kuotë maksimale pikësh që Venger i ka caktuar skuadrës që synon titullin. “Topçinjtë” mbyllën kampionatin me 87 pikë në vitin 2002, ndërsa regjistruan rekordin e tyre në vitin 2004, atëherë kur “të pamposhturit” mbyllën sezonin me 90 pikë.

Artikulli paraprakVerratti, i pakënaqur me trajnerin
Artikulli tjetërLeipzig ruan vendin e dytë, “likuidon” Verderin