Arrestimi i gjyqtarit, 20 mijë euro i mori sekseri në Fushë-Krujë

Shkëlqim Miri, gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë u ndalua me urdhër të Prokurorisë për dyshimet e korrupsionit, ndërsa në banesën e tij iu sekuestruan 174 mijë e 810 euro, 101 milion lekë dhe 1 mijë dollarë. Prokuroria bëri të ditur se ndaj gjyqtarit Shkëlqim Miri hetimet kishin nisur në janar 2017, pas informacioneve se gjykatat shqiptare po i jepnin lirinë Gentian Dodës, i akuzuar për vrasje dhe i ekstraduar nga Amerika pesë vjet më parë. Si pjesë e kësaj afere dyshohen edhe katër shtetas të tjerë, që nga ndërmjetësi, deri tek një i afërt i Dodës, i cili ka fituar lirinë që nga vera 2017.
Nga këqyrja e një kamere sigurie në një lokal në Fushë-Krujë në muajin maj 2017 shfaqet ndërmjetësuesi, duke marrë paratë. Ka dyshime se, janë paguar 20 mijë euro për të ndryshuar veprën nga vrasje, në plagosje e rëndë me dashje, një vepër kjo që ishte rikualifikuar nga Shkalla e Parë e Matit. Pas këtij dorëzimi, një i dyshuar tjetër njofton më pas të dënuarin Doda përmes whats App se për dy javë çështja sistemohej, ashtu sikurse edhe ka ndodhur në të vërtetë.
Me metoda speciale të hetimit, Krimet e Rënda kanë mundur të improvizojnë sekuestrimin e përkohshëm të një telefoni nga një postbllok policie, për të cilin i është komunikuar përdoruesit se dyshonin që aparati ishte i vjedhur e për këtë arsye duhet të kryheshin disa verifikime.
Burimet bëjnë me dije se, fillimisht hetimi ka nisur për një trupë tjetër gjyqësore të Shkallës së Parë Mat, e cila edhe ka hapur lojën për dosjen “Doda”, që është shikuar e rishikuar nga gjykata në gjykatë që prej vitit 2001, atëherë kur ai u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet burgim.
Shkëlqim Miri ka një karrierë 25-vjeçare në drejtësi, që nga gjyqtar i Shkallës së Parë, më tej gjyqtar Apeli në Durrës, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga 2007 në 2011 dhe së fundmi gjyqtar i Apelit në Tiranë.
Pas ndalimit të tij, Prokuroria për Krime të Rënda do të kërkojë vleftësimin të ligjshëm të ndalimit dhe masën arrest me burg, ndërkohë që për herë të parë pas ndryshimeve ligjore akuza nuk kalon përmes Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të marrë autorizim për ndalimin. Këshilli i Lartë të Drejtësisë në fakt do të duhet të mblidhet në një moment të dytë për gjyqtarin Miri dhe tema e ditës do të jetë pezullimi i tij nga detyra.

Arrestohet sekseri dhe kushëriri i gjyqtarit

Pas urdhërit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, policia ka arrestuar shtetasin Kujtim Miri, kushëri i gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri. Kujtim Miri është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës për t’u marrë në pyetje nga specialistët e Krimit Ekonomik.
Përveç Kujtim Mirit, burime nga Policia e Tiarnës thanë se, është ndaluar edhe një person i dytë me iniciale A.B. Të dy akuzohen se kanë qenë sekser mes Gentjan Dodës i akuzuar për dy vrasje në Burrel në vitin 1997 dhe gjyqtarit, i cili ndryshoi akuzën nga vrasje, në plagosje të rëndë dhe për këtë Gentjan Doda u dënua me tetë vite burg, nga 20 që ishin dhënë më herët.
Ndërkohë, burime nga Prokuroria thanë se, priten arrestime të tjera. Gjyqtari u arrestua mbrëmjen e djeshme, pasi akuzohet se favorizoi një vendim penal në këmbim të vlerave monetare. Në banesën e Mirit, u gjetën rreth 340 milionë lekë të vjetra.

Kronologjia, ku u përfshi gjyqtari Miri

Gjykimi ndaj një personi të akuzuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 1997 në Burrel dyshohet të jetë “strumbullari” i akuzës për “korrupsion” ndaj gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri. Prokuroria ka dyshime se, gjyqtari ka marrë një rryshfet për një vendim të favorshëm ndaj Gentian Dodës, i ekstraduar në vitin 2012 nga SHBA.
Gjyqtari ka qenë pjesë e një tresheje të Apelit që në 7 qershor 2017 ka lënë në fuqi dënimin e dhënë me 8 vjet burg të Gjykatës së Shkallës së Parë Mat. Kjo gjykatë në vitin 2016, rigjykoi nga zero akuzat e ngritura ndaj Dodës. Në vendimin përfundimtar, Gjykata vendosi ndryshimin e kualifikimit të veprës penale ndaj Dodës nga “vrasje me paramendim” në “plagosje të rëndë me dashje”. Ky është vendimi i Gjykatës së Matit, që 20 vjet pas vrasjes së shtetasve Gazmir Deda e Asllan Gjoka në Burrel vlerësoi se, Doda ishte përgjegjës vetëm për plagosje. Gjykata e Matit arsyetonte se mes viktimës dhe të pandehurit nuk ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm dhe se vrasja nuk kishte pasur paramendim. E njëjta gjykatë ka zeruar akuzën për “armëmbajtje pa leje”, me pretendimin se akuza ishte amnistuar në vitet pas ngjarjes. Në këtë gjykim, Prokuroria kërkoi dënimin e Dodës me 20 vjet burg për akuzën e “vrasjes me paramendim”.
Por përse u rigjykua Gentian Doda?
Katër vjet pas ngjarjes, Doda u dënua në mungesë me 20 vjet burg. Vendimi që u la në fuqi edhe në Apel dhe në Gjykatën e Lartë. Dhjetë vjet më vonë, ai u arrestua në SHBA, prej nga u ekstradua në Shqipëri. Pas mbërritjes, ai kërkoi rishikim të vendimit. Pas disa orvatjesh nëpër të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor ai fitoi këtë të drejtë.
Përmes këtij vendimi, që mban datën 24 shkurt 2016, Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e Dodës. Kolegji Penal prishi vendimin e Shkallës së Parë Mat dhe Apelit Tiranë për dënimin me 20 vjet burg dhe e dërgoi çështjen në Mat për rigjykim nga zero. Aktualisht dosja gjendet në Gjykatën e Lartë për gjykimin e rekursit të Prokurorisë ndaj dënimit me 8 vite burg.

 

Artikulli paraprakHabilaj mori çantat me euro nga makina e Sotës dhe ia çoi Ramës
Artikulli tjetërFaqja e pare