Arratisja e 21-vjeçarit nga komisariati, të afërmit: Policia na bën presion

Tre ditë pas arratisjes së të riut Emirjon Nika nga Komisariati i Policisë së Pukës, të afërmit i bëjnë apel të dorëzohet. Gjyshja dhe daja i tij janë ankuar edhe për presione të vazhdueshme nga ana e policisë, pavarësisht se bashkëpunimi i tyre ka qenë maksimal.
Gjyshja e 21-vjeçarit, Prenda Morina u shpreh se, Emirjoni kishte shkuar tek ata pas arratisjes nga komisariati dhe kishte kërkuar bukë e më pas ishte larguar. “Emirjoni pas arratisjes erdhi e kërkoi bukë. I thashë shko dorëzohu, por ai iku në drejtim të varrezave”, tha gjyshja e tij.
Ndërsa daja, Vlash Morina foli për dhunë nga ana e policisë. Ai tha se është sharë nga një punonjës i policisë, i cili ka tentuar edhe ta qëllojë. “Prej të premtes jemi nën presionin e policisë. Edhe pse kemi bashkëpunuar po më bëjnë presion vazhdimisht. Sot në komisariat një punonjës më shau me familje, tentoi të më qëllonte”, tregon ai.
Por të dy i bëjnë thirrje nipit të dorëzohet në polici. “Ne i bëjmë apel, dorëzohu sa nuk është vonë”, thonë ata. Emirjon Nika, 21 vjeç u arratis nga dritarja e katit të dytë të Komisariatit të Pukës ndërsa priste për t’u transferuar për në Shkodër. Teksa përgatitej dokumentacioni për transferimin e tij në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër, i arrestuari, banues në lagjen “Don Bosko” në Tiranë, ka arritur të heqë me forcë hekurat nga dritarja dhe është hedhur.

Artikulli paraprakDy shqiptarë kapen me 2 kg kokainë dhe 1 kg heroinë në Itali
Artikulli tjetërDy të vdekur në Shkodër e Kavajë në dy aksidente