Argjentina rrezikon Botëronin e Rusisë

Argjentina në rrezik për kualifikimin në Botërorin e Rusisë pas një vendimi të FIFA-s për t’i dhënë dy humbje në tavolinë Bolivisë për shkak të aktivizimit të një lojtari të paligjshëm në ndeshjet ndaj Kilit dhe Perusë, ku skuadra boliviane kishte grumbulluar në total 4 pikë. Fitoret në tavolinë të Kilit, por dhe të Perusë, bëjnë që dy ekipet të kenë më shumë pikë tashmë në renditje, me Kilin që barazon Argjentinën në vendin e pestë me 16 pikë, ndërkohë që Peru ngjitet në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Bolivia zbret katër pikë. Në këto dy ndeshje të barazuara 0-0 me Kilin dhe të fituar 2-0 me Perunë, Bolivia ka aktivizuar në minutat e fundit të të dyja sfidave, futbollistin Nelson Cabrera, i cili ka luajtur më parë dhe me përfaqësuesen e Paraguait dhe dokumentacionet e paraqitura nga Federata boliviane nuk ishin të sakta.
Vetë kreu i Federatës boliviane të Futbollit, Rolando Lopez ka deklaruar për mediat e vendit të tij se do ta apelojë çështjen, pavarësisht se në renditjen e eliminatoreve të zonës së Amerikës së Jugut, dy humbjet aforfe nuk kanë shumë ndikim te vetë Bolivia, pasi ajo kishte grumbulluar tetë pikë në total duke qenë shumë larg me skuadrat që pretendojnë të kualifikohen. Ajo që rrezikon më shumë është Argjentina, e cila sheh Kilin ta barazojë me pikë në vendin e pestë, që është dhe vendi që të çon në play off, ndërsa sheh t’i afrohet dhe një rival më shumë si Peruja.

Artikulli paraprakE kaluara e panjohur e yjeve të futbollit
Artikulli tjetërRebelohet Roben