Argjentina mbetet pa trajner, shkarkohet Edgardo Bauza

Merr fund aventura e Edgardo Bauzës në drejtimin e Argjentinës. Pavarësisht konfirmimit që mori javën e kaluar, Bauza u shkarkua pas një mbledhjeje të gjatë mes drejtuesve të Federatës dhe agjentit të tij. Lajmërimi u bë nga numri një i Federatës argjentinase, Claudio Tapia që foli për një akord xhentëlmenësh për zgjidhjen konsensuale të kontratës së Bauzës, të cilit i është komunikuar se nuk do të jetë më trajneri i La Seleccion. Cikli i teknikut 59-vjeçar mbyllet kështu pas vetëm 3 fitoresh në 8 ndeshje zyrtare, periudhë gjatë së cilës është kritikuar për lojën që nuk ka bindur kurrë, kualifikimin në Botërorin e ardhshëm që është vënë në rrezik dhe një seri grumbullimesh që kanë gjeneruar polemika si për shembull një ftesë e munguar për Icardin. Bauza pritet të marrë 1 milion e 300 mijë dollarë si dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës, me Presidentin e Federatës argjentinase që ka bërë të ditur se do të niset drejt Barcelonës ku do të takohet me Messin për të mbështetur apelimin e tij kundër 4 ndeshjeve pezullim me të cilat u ndëshkua nga FIFA, gjithsesi kuptohet lehtë se objektivi kryesor do të jetë ai për të gjetur pasardhësin e Bauzës.
Kandidati kryesor mbetet Jorge Sampaoli që mund të lirohet nga marrëveshja me Sevillan një vit para përfundimit duke paguar një dëmshpërblim prej 1.5 milionë eurosh. Ish-trajneri i Kilit ka bërë të ditur dëshirën e tij për të udhëhequr Argjentinën për të punuar me Messin, kështu që nuk mbetet tjetër veçse për të diskutuar me drejtuesit e Sevillas. Në të njëjtën kohë nuk mungojnë edhe zërat se Argjentina mund të bëjë një tentativë edhe me Diego Simeonen, një emër që do t’i kënaqte të gjithë, edhe pse misioni për të duket i pamundur. Vetë Simeone ka bërë të ditur se pavarësisht se e ngacmon ideja për të drejtuar Argjentinën kjo është një mundësi për një periudhë pas disa vitesh pasi në të ardhmen e afërt ka plane të tjera duke preferuar punën e përditshme në nivel klubesh.

Artikulli paraprakTë ardhurat nga Arsimi i Lartë, në shifrën rekord të 8 milionë eurove!
Artikulli tjetërRanieri u tradhtua