Apeli refuzon lirimin e dy ushtarëve të Shullazit

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda refuzoi dje lirimin nga burgu të dy bashkëpunëtorëve të Emiljano Shullazit, Endri Qyqja dhe Endri Zela. Për togat e zeza, kushtet ndaj dy të ndaluarve nuk kanë ndryshuar dhe janë bindur nga provat e sjella nga Prokuroria, e cila i akuzon për gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal. Apeli konfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të rinjtë, marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë në datën 15 tetor.
Sipas Prokurorisë, këta dy persona në bashkëpunim me shtetasit Emiljan Shullazi e Gilmano Dani, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash biznesmenit Ylvi Beqja, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike. Rreth 550 mijë euro, dyshohet se i janë marrë biznesmenit. Në tri raste rreth 150 mijë euro me anë të çeqeve, Endri Qyqja dhe Endri Zela i kanë marrë nga biznesmeni. Ndërsa rreth 400 mijë euro të tjera Ylvi Beqja i ka dorëzuar vetë tek Emiljano Shullazi.
Dëshmia e Beqajt është prova më e fortë që ka Prokuroria për Emiljano Shullazin. Ai ka përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe ruhet nga policia 24 orë në ditë.
Sipas dëshmisë së tij, gjithçka nisi kur Shullazi i mori përsipër se do t’i siguronte pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Në këmbim të saj, ai do t’i jepte 20% të hotelit. Por me anë të kërcënimeve, Shullazi i mori 30% dhe 550 mijë euro, të cilat biznesmeni i kishte fituar nga shitja e një të tretës së ish-hotelit tek familja Kodra.

Artikulli paraprakRaporti për Sigurinë në botë, Shqipëria pas Koresë së Jugut
Artikulli tjetërMafia shqiptare “pushton” Barin