Anëtari i kryesisë së PD, Myzafer Elezi, kujton policët e rënë në Vlorë në krye të detyrës: Nderim për ata që mbrojtën jetën me jetë

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Myzafer Elezi, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në rrjetin social facebook, ka përkujtuar tre punonjës të Komisariatit të Policisë Vlorë të rënë në krye të detyrës.

“Sot mbushen 27 vjet nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Vlorë, ku humbën jetën në krye të detyrës tre punonjës të Komisariatit të Policisë Vlorë. Ishte data 24.03.1997, kur në sallën operative të policisë mbërriti një informacion se, disa persona me armë dhe me maska janë duke grabitur disa këmbësorë dhe automjete në rrugën Vlorë-Skelë, në qytetin e Vlorës.” – shkruan Elezi, ndërkohë që risjell në vëmendje të publikut atë ngjarje të rëndë ndodhur në një kohë të vështirë për Vlorën dhe për të gjithë Shqipërinë.

Më poshtë postimi i plotë:

Nderim për ata që mbrojtën jetën me jetë.

Sot mbushen 27 vjet nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Vlorë, ku humbën jetën në krye të detyrës tre punonjës të Komisariatit të Policisë Vlorë.

Ishte data 24.03.1997, kur në sallën operative të policisë mbërriti një informacion se, disa persona me armë dhe me maska janë duke grabitur disa këmbësorë dhe automjete në rrugën Vlorë-Skelë, në qytetin e Vlorës.

Të gatshëm ishin tre punonjësit e policisë, Spiro TOSHI, Gëzim SHABANI dhe Besim MANOLI, të cilët menjëherë u nisën në drejtim të vendit të ngjarjes.

Ndërkohë që ishin në ndjekje për të kapur autorët e një bande kriminale që kishin kryer disa grabitje, në vendin e quajtur ”Kali i Trojës” në qytetin e Vlorës, grabitësit qëlluan me armë zjarri në drejtim të makinës së policisë duke lënë të vrarë tre punonjësit e Policisë së Shtetit:

Spiro TOSHI, nga fshati Nartë i rrethit të Vlorës, i martuar me dy fëmijë. Rridhte nga një familje të persekutuar politik nga regjimi totalitar.

Ishte me detyrë oficer i Zyrës së Informacionit pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, me gradën ‘Kapiten i Parë’. U vra në krye të detyrës, ende pa mbushur 45 vjeç.

Gëzim SHABANI, nga fshati Velçë dhe banues në lagjen “11 Janari” të qytetit të Vlorës, i martuar, me fëmijë. Rridhte nga një familje e persekutuar politik nga regjimi komunist. Babai i tij ishte i dënuar për motive politike me 101 vite burg nga diktatura komuniste. Ndërsa gjyshi nga nëna ka vdekur në burg, i arrestuar për motive politike.

Gëzimi ishte me detyrën e shoferit të makinës së gadishmërisë së policisë.
U vra në krye të detyrës, në moshën 37 vjeç.

Besim MANOLI, nga fshati Drashovicë i rrethit Vlorë, i martuar, me fëmijë. Rridhte nga një familje e persekutuar politik nga regjimi totalitar. Familja e tij ka qenë e internuar në fshatin Drashovicë. Babai i tij ka qenë i burgosur për motive politike, ndërsa gjyshi nga nëna dhe një dajo janë pushkatuar në vitin 1945.

Besimi ishte me detyrën e inspektorit të Policisë së Rendit. U vra në krye të detyrës, në moshën 40 vjeç.

Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin nr. 14, datë 11.09.1998, i`u ka akorduar ish punonjësve të Policisë së Shtetit statusin “Dëshmor i Atdheut” të periudhës së pasçlirimit, dhe familjeve të tyre i`u dha simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”.

Me cilësinë e këshilltarit të Partisë Demokratike në Këshillin e Bashkisë Vlorë, i kam propozuar kryetarit të bashkisë Vlorë që, ish-punonjësve të Policisë së Shtetit, Spiro TOSHI, Gëzim SHABANI dhe Besim MANOLI, t`u jepet titulli “Qytetar Nderi i Vlorës” pas vdekjes, me motivacionin:

“Për kontributin e çmuar në strukturat e Policisë së Shtetit, sakrificën e pashembullt dhe pa kompromis në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike”.

Sot, kujtojmë dhe nderojmë këta shërbëtorë të shtetit, për aktin e tyre sublim, për guximin e pashoq, trimërinë, ndershëmrinë, korrektesën, si dhe për ashpërsinë ndaj elementëve keqbërës.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Tyre!

Artikulli paraprak25 vjet nga bombardimet e NATO-S në Serbi, Basha: Nostalgjikët e Millosheviçit vazhdojnë të përkundin ambicie të së shkuarës, por fatmirësisht sot në Kosovë është NATO
Artikulli tjetërArsyet pse alergjitë përkeqësohen gjatë mëngjesit, ja çfarë dihet të dini dhe si t’i trajtoni