Ambasadori italian në çadrën e lirisë: Kauza e juaj e drejtë

Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo ka shkuar dje në çadrën e ngritur nga opozita pranë Kryeministrisë. Ambasadori italian ka qëndruar për pak kohë brenda në çadër, ndërsa ka biseduar me deputetë demokratë dhe protestues që kanë qenë të pranishëm.
Ambasadori Cutillo e ka cilësuar kauzën e protestës si të drejtë, ndërsa ka premtuar se do ta vizitojë sërish çadrën. Gjithashtu mësohet se ambasadori ka vlerësuar zhvillimin e protestës në mënyrë paqësore.
Në çadrën e protestës ambasadori u takua me deputetin e PD, Oerd Bylykbashi, i cili tha se ambasadori kishte vlerësuar organizimin e protestës paqësore. “Cutillo u interesua për gjendjen e protestuesve. Atij  i bëri përshtypje protesta paqësore e organizuar nga opozita. Gjatë bisedës me të ne i bëmë me dije kushtet tona për të hyrë në Parlament dhe në zgjedhjet e 18 qershorit”, tha Bylykbashi.
Protesta e opozitës dhe kauza e saj për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka gjetur një mbështetje të fuqishme jo vetëm popullore, por edhe ndërkombëtare. Pas mesazheve të forta që erdhën nga Kongresi amerikan në drejtim të Bashës dhe protestuesve, dje mbështetje kanë shprehur edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.
Të shtunën, kongresmeni Robert Aderhold, personalitet i njohur dhe me influencë në Kongresin amerikan ka shprehur përmes një letre drejtuar kreut të PD, Lulzim Basha dhe atij republikan, Fatmir Mediu mbështetjen e fuqishme ndaj popullit shqiptar në kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Unë mbështes fuqimisht, hapat e qytetarëve shqiptarë dhe betejës së tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në kauzën e tyre të drejtë për liri dhe demokraci, shtetin ligjor, si dhe lirinë individuale”, shprehet Aderhold.
Po në të njëjtën linjë edhe kongresmeni Dana Rohrabacher, një ditë para protestës së 18 shkurtit iu drejtuar kryetarit të PD, Basha dhe qytetarëve shqiptarë me një mesazh të fortë në mbështetje të kauzës së opozitës.
“I dashur Lulzim,
Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e qytetarëve shqiptarë dhe betejën e tyre të drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Populli shqiptar duhet ta dijë se do të ketë gjithmonë mbështetjen tonë në kauzën e tij për liri dhe demokraci, shtet të së drejtës dhe liri njerëzore”.

A.Shahini

Artikulli paraprakTotenham e United në çerekfinale
Artikulli tjetërShkullaku dhe Meço i bashkohen protestës: Duhet përmbysje!