Ambasadori austriak: Investitorët e huaj të tmerruar nga Shqipëria

Nëse një investitor i huaj pyet për Shqipërinë pranë ambasadës së tij në vendin tonë, më shumë të ngjarë do të frikësohet nga ajo çka i thonë për funksionimin e shtetit ligjor dhe sistemit të drejtësisë. Gjatë një forumi ekonomik të zhvilluar sot në Tiranë, ambasadori austriak, Johann Sattler, iu tha hapur sipërmarrësve nga vendi i tij se dobësia e shtetit ligjor është një problem madhor për investitorët e huaj. Nëse bizneset e mëdha, sipas tij, e kanë disi më të lehtë, për shkak të rëndësisë dhe përmasave të tyre, problemet më serioze i vuajnë bizneset e vogla dhe të mesme. “Shqipëria ka një problem të veçantë me shtetin ligjor. Kjo zë një pjesë të madhe në punën time të përditshme. Përpiqem të bind politikanë se sistemi i drejtësisë duhet ndryshuar dhe ata janë tashmë të bindur për këtë. Për kompanitë më të mëdha gjërat janë disi më të lehta, sepse ato kanë kanalet e tyre të komunikimit, por për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme problemet në sistemin e drejtësisë krijojnë vështirësi serioze të të bërit biznes. Megjithatë, unë jam i bindur dhe them që po bëhet progres në këtë drejtim. Ka nisur një reformë e sistemit të drejtësisë dhe së shpejti do të bëhet vetting-u i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në përfundim të këtij procesi, besoj se do të ketë një sistem drejtësie më të mirë dhe një klimë më të favorshme për investime”, tha ambasadori austriak, Johann Sattler. Ndërkohë që kërkojnë nga ambasadorët angazhim në drejtim të diplomacisë ekonomike, anëtarët e qeverisë shqiptare nuk janë shumë korrektë me axhendën e tyre, edhe kur investitorë potencialë vijnë në Shqipëri, të sjellë nga dikush tjetër. Mungesa e ministrit Peleshi ishte e justifikuar me një vizitë në Bruksel, ndërsa organizatorët e forumit nuk kishin ndonjë shpjegim për mungesën e zëvendëskryeministres dhe ministrit të Financave.

Artikulli paraprakSpaho në PE: Shqipëria e kapur nga droga, krimi i organizuar e blerja e votës
Artikulli tjetërSi Rama po mbron Dakon