Ambasada: Gabimet që s’duhet të bëni kur aplikoni për Lotarinë Amerikane

Emily Enright, shefja e njësisë për vizat jo emigruese në ambasadën amerikane, dhe Lorenc Mansaku, supervizori dhe specialisti i vizave, në një intervistë për “Ora News” sqarojnë procesin e aplikimit për llotarinë amerikane.

-Si po shkon procesi i aplikimit për viza deri më tani? Është i madh numri i qytetarëve që po aplikojnë?
Ambasada Amerikane nuk luan asnjë rol në lotari, përzgjedhje apo pranim. I gjithë informacioni i pranimit shkon direkt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendimet merren atje. Ndaj ne nuk kemi informacion se sa shqiptarë kanë plotësuar formularin e lotarisë, apo sesi po shkon procesi.
Pritshmëritë tona janë që edhe këtë vit të jetë i njëjti numër pranimesh si në vitet e kaluara, ku numri i shqiptarëve që kanë aplikuar ka qenë pothuajse në të njëjtat nivele.

-Pak më parë pohuat që aplikimet shkojnë direkt në SHBA, kush e bën përzgjedhjen atje?
Ka një kompjuter dhe çdo gjë është e rastësishme. Ajo që mund të themi është se çdo aplikimi i vendoset një numër. Ka një formulë, të cilën e zbaton kompjuteri dhe çdo shteti, në këtë rast Shqipërisë, nuk mund t’i jepet
më shumë se 7 për qind e numrave të rajonit, pra të Europës.
-Ka një numër fiks sa shqiptarë mund të fitojnë?
Ka një numër të caktuar vizash që i jepet çdo rajoni, të cilin e përcakton qendra konsullore në Kentucky dhe çdo shtet nuk mund të marrë më shumë se 7 për qind të këtyre numrave.

-Cilat janë gabimet më të shpeshta që bëjnë qytetarët gjatë aplikimit?
Gabimi i parë që bën shumica e njerëzve është që aplikojnë më shumë se një herë. Pra, një njeri mund ta plotësojë lotarinë vetëm një herë gjatë një viti kalendarik.
Nëse aplikon më shumë se një herë dhe fiton automatikisht je i skualifikuar për shkak se ke bërë shumë aplikime. Një tjetër gabim që konstatojmë, që është i zakonshëm, apo thënë ndryshe një lloj konfuzioni është se kur aplikoni, ju kërkohet që të plotësoni emrin, emrin e dytë dhe mbiemrin.
Shqiptarët nuk kanë emra të dytë dhe nuk dinë çfarë të shkruajnë në atë hapësirë, ka raste kur shkruajnë mbiemrin. Por nëse ju nuk keni një emër të dytë, thjesht lëreni atë hapësirë bosh, pra të paplotësuar. Mjafton të klikoni “no meadle name”,
pra nuk kam emër të dytë. Pra, këtu ngatërrohen njerëzit.
Konfuzion ka edhe me fotografitë. Duhet të hiqni syzet kur të dilni foto ose do të skualifikoheni. Prej këtij viti do të bëni një fotografi të re. Nëse keni aplikuar për lotari vitin e shkuar, nuk mund të përdorni të njëjtën fotografi edhe këtë vit.
Duhet të keni fotografi të re për lotarinë e këtij viti. Kjo bëhet për të parandaluar mashtrimin dhe probleme të tjera që kanë ndodhur në të gjithë botën.

-Ndalemi pak te parametrat e fotografisë, si duhet të jenë për të mos u penalizuar?
Lorenc Mansaku: Mënyra sesi është konfiguruar sistemi është i atillë që nuk lejon fotografi, të cilat nuk janë në formatin e kërkuar, pra 600 me 600 pixel deri në 1200 me 1200 pixel. Tjetra që ka rëndësi po ashtu është se duhet të hiqen syzet.
Në faqen zyrtare http:/ /wwww.dvlottery.state.gov ka edhe një foto të hedhur, e cila shërben si ilustruese për të orientuar aplikantët mbi parametrat që kërkohen sa i takon fotografisë.
Nëse ti tenton të ngarkosh fotografinë e gabuar, sistemi nuk do të lejojë që t’i të kryesh me sukses aplikimin
-Kur një aplikues nuk plotëson kushtin e arsimimit, por ka një zanat, p.sh., është elektricist apo fermer, çfarë ndodh me aplikimin e tij?
Ne i inkurajojmë njerëzit që të aplikojnë, duke u bazuar në arsimimin e tyre dhe arsyeja pse ndodh është se, teknikisht ju nuk mund të kualifikoheni për të fituar viza. Për punën dhe arsimimin aplikohet një standard i lartë.
Nëse nuk plotëson kriterin e arsimimit të duhur dhe kërkon të aplikosh, duke u bazuar te puna, atëherë nëse shkon në portalin e lotarisë në internet, ka dritare të posaçme për faqen e departamentit të punës, ku verifikohet nëse profesioni yt është në listën e profesioneve të kërkuara.
Mos lexoni vetëm emrin e profesionit, por edhe përshkrimin që jepet më poshtë. Një shembull që mund t’ju jap është menaxher ndërtimi. Shumë njerëz e quajnë veten menaxher ndërtimi, vetëm sepse mbikëqyrin dy apo tre njerëz dhe menaxhojnë projektet e tyre.
Por përcaktimi ynë për profesionin e menaxherit të ndërtimit është dikush që mund të ndërtojë ndërtesat sipas standardeve të rregullave të sigurisë që mund t’i rezistojnë një tërmeti dhe të dijë si të përdorë testet shkencore inxhinierike për t’u siguruar se ato ndërtesa mund t’i rezistojnë një tërmeti. Pra, ju mendoni se e plotësoni këtë kriter, se jeni menaxher ndërtimi, por nëse lexoni të gjitha kërkesat e mëposhtme, kuptoni që s’mund ta kryeni këtë punë pa arsimimin e duhur.
Teknikisht ka njerëz që kualifikohen bazuar vetëm në punën e tyre. Rregullorja përcakton që ky standard duhet të jetë shumë i lartë, ndaj edhe duhet të tregoheni të kujdesshëm gjatë plotësimit të formularit.

-Pasi një qytetar ka plotësuar formularin, a ka një filtër për të kuptuar nëse deklarimi i tij është i saktë apo i gabuar?
Kjo është një pyetje me mjaft interes, por nuk ka një filtër paraprak. I vetmi moment kur shikohet kualifikimi i një personi është kur ai paraqitet për të dhënë intervistën.
Ndaj është shumë e rëndësishme që përpara aplikimit të shikohen rregullat. Dua të vë në dukje se të gjithë ata që aplikojnë duhet të kenë një adresë elektronike të vlefshme, pasi prej 1 majit të vitit të ardhshëm mund të verifikojnë nëse kanë fituar apo jo.

Artikulli paraprakBE do të fillojë bisedimet me Kirgizinë rreth marrëveshjes së re
Artikulli tjetërCDU dhe CSU bien dakord për çështjen e refugjatëve