Aleppo, dështimi i madh i komunitetit ndërkombëtar

Gjendja në Aleppo është dramatike. Në intervistë për “DW”, Conny Lenneberg nga World Vision ngre akuza të rënda kundër OKB-së. Conny Lenneberg-ut i lexohet tronditja në fytyrë, zëri i saj dridhet, ajo përpiqet ta mbajë veten nën kontroll. Lenneberg punon si drejtore rajonale për Lindjen e Mesme në organizatën e ndihmës World Vision. Që prej 25 vjetësh ajo punon në sektorin e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin. Ajo që po ndodh aktualisht në Aleppo e ka shtangur atë:
“Gjendja atje është aktualisht katastrofale, nuk ka asnjë spital funksionues, nuk ka asnjë përkudjesje mjekësore, në pjesën më të madhe nuk mund të garantohet as furnizimi bazë me ujë e ushqime”.
Aleppo konsiderohej si bastioni i fundit i rebelëve sirianë. Ndërkohë ushtria siriane me mbështetjen e Rusisë dhe të Iranit pothuajse e ka rivendosur nën kontroll qytetin. Nën presionin e Rusisë dhe të Turqisë udhëheqja siriane në fillim të javës u shpreh e gatshme për armëpushim. Por që nga 14 dhjetori megjithatë sërish ka pasur luftime. Gazetarët në terren e paraqesin qytetin në rrënoja.

Frikë për popullsinë civile
Organizata e ndihmës World Vision është aktive prej vitesh në Siri. Kjo nuk është një detyrë e lehtë. Conny Lenneberg synon në radhë të parë që të sigurohet furnizimi bazë me ujë dhe ushqime. Ajo preokupohet për popullsinë civile.
“Ne kemi frikë të madhe se çfarë po ndodh me popullsinë civile. Fakti, që fëmijët, gratë e burrat, të cilët nuk kanë të bëjnë me konfliktin e armatosur, por ndodhen midis dy fronteve, nxjerr në pah dështimin e plotë të bashkësisë ndërkombëtare”.
Vazhdimisht janë shuar shpresat për një paqe të qëndrueshme. Se sa e turbullt është situata dhe sa e përçarë bashkësia ndërkombëtare në konfliktin e Sirisë kjo u duk qartë në vjeshtë: Në fillim të tetorit SHBA i pezulloi bisedimet direkte me Rusinë për armëpushimin në Siri.
Kësisoj lufta civile vazhdon të gjëmojë në Siri me të gjithë forcën e saj. Që prej shpërthimit të saj në vitin 2012 miliona njerëz kanë rënë viktimë.

Një popull në arrati
Mizoria e luftimeve i detyron njerëzit të marrin arratinë. Në të gjithë vendin që prej shpërthimit të luftës ndodhen 12 milionë njerëz në arrati. Këta janë më shumë se gjysma e popullsisë siriane. Conny Lenneberg në sfondin e shifrave tronditëse e shpreh hapur indinjatën e saj për paaftësinë e bashkësisë ndërkombëtare.
“A e dini, unë si fëmijë jam rritur me histori nga Lufta e Dytë Botërore. Gjyshja ime gjithmonë më ka treguar, se si ajo, një nënë e re me katër fëmijë, kishte marrë arratinë. Në mes të dimrit, pa e ditur, se ku po shkon, ku mund të jetë streha më e afërt e ku mund të gjente diçka për të ngrënë. Pas luftës OKB-ja u themelua pikërisht për një arsye: që të parandalojë përsëritjen e një vuajtjeje të tillë”. “Në Siri, sipas Lenneberg tërësisht e dëshpëruar, “ne shohim prej katër vjetësh, që bashkësia ndërkombëtare nuk është në gjendje t’i përgjigjet detyrimit të saj”.

Artikulli paraprakGjermania deporton refugjatët afganë
Artikulli tjetërDo të prishim paktin e krimit me politikën