Aleanca e Konservatorëve në BE: Pa zgjedhje të lira nuk ka demokraci

Grupimi i tretë më i madh dhe me më influencë në BE, Aleanca Konservatore mbështet fuqimisht kauzën e opozitës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërsa deklaron se pa zgjedhje të lira nuk ka demokraci. Deklarata vjen nga Presidenti i Aleancës Konservatore dhe Reformiste Europiane, Jan Zahradil, i cili deklaroi dje në Tiranë se mbështet protestën e opozitës dhe kërkesën e saj për zgjedhje të lira. Zyrtari i lartë europian kërkon nga palët që të gjejnë zgjidhje. Zahradil i ka cilësuar si serioze çështjet e ngritura nga opozita në lidhje me kërcënimin e zgjedhjeve të lira nga droga dhe krimi në pushtet. Sipas tij, akuzat se procesi zgjedhor është i kërcënuar, mund të manipulohet apo që disa njerëz mund të mos të lejohen që të votojnë janë shqetësuese dhe sigurisht duhet të trajtohen nga palët për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, çka do të garantonte zhvillimin normal të zgjedhjeve në respekt të plotë të vullnetit të lirë të qytetarëve. “Kërkesa e opozitës për standarde janë çështje serioze. Nëse flasim për mos të marrë pjesë në zgjedhje, unë shpresoj që mos të shkohet aq larg dhe të gjendet një zgjidhje që më në fund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Ne shpresojmë që situata të zgjidhet në mënyrë që të gjitha partitë në Shqipëri të marrin pjesë në një proces të hapur e transparent zgjedhor. Sepse pa këtë mundësi, pa garantuar lirinë dhe ndershmërinë në zgjedhje, nuk ka më demokraci. Dhe nëse ekzistojnë këto akuza, që thonë se procesi zgjedhor është i kërcënuar, mund të manipulohet apo që disa njerëz mund të mos të lejohen që të votojnë, atëherë kjo është një situatë serioze dhe ne padyshim mbështesim plotësisht, ata që duan ta parandalojnë këtë situatë”, tha Zahradlin. Zyrtari i lartë i BE ndodhet në Tiranë me rastin e një konference që Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve europianë është duke mbajtur këtu. ACRE (Alliance of Conservatives and Reformists in Europe) është duke zhvilluar Samitin e Lirisë në Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, ku vuajtjet që sollën idetë e marksizëm-leninizmit dhe mbyllja pas Perdes së Hekurt të bllokut lindor, vazhdojnë të reflektojnë akoma probleme në rehabilitimin e shoqërive postdiktatoriale.

PR anëtarësohet me të drejta të plota te Konservatorët Europianë

Partia Republikane anëtarësohet me të drejta të plota në Aleancën e Partive Konservatore dhe Reformiste Europiane. Një hap i tillë u ndërmor gjatë Samitit të Lirisë të këtij grupimi politik (i treti në Evropë), me ftesë të Partisë Republikane shqiptare. Në një konferencë për shtyp, në prani edhe të presidentit të ACRE, Jan Zahradil dhe Daniel Hannan, sekretar i Përgjithshëm i ACRE, kryetari i PR-së, zoti Fatmir Mediu, shprehu së pari mirënjohjen dhe vlerësimin që i është bërë Partisë Republikane nga ky grupim politik, shumë i rëndësishëm dhe me influencë në Evropë. Mediu u shpreh gjithashtu se Partia Republikane, tashmë radhitet aty ku i takon, si promotore e vlerave të djathta në politikë dhe në shoqëri. “Edhe me mbështetjen e ACRE, ne do të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë për një shoqëri të lirë dhe demokratike, për tregje të lira, për taksa të ulëta, për të njohur dhe forcuar të drejtat që burojnë nga prona e lirë”, u shpreh Mediu. Gjithashtu, Mediu u shpreh se statusi i ri i Partisë Republikane është një obligim dhe rrit përgjegjësinë politike, për të luftuar në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauza madhore e opozitës shqiptare në këto momente.

A.Shahini

Artikulli paraprakMerkel dhe Hollande: “Assadi mban përgjegjësi”
Artikulli tjetërKoordinatori i OKB: Stabiliteti politik dhe dialogu shumë të rëndësishëm