Aleanca diskuton frenimin rus

Takimi i nivelit të lartë i NATO-s, i fundit ku merr pjesë Presidenti amerikan, Barack Obama, pritet të mbizotërohet nga Rusia, megjithëse Aleanca përballet me një numër të madh çështjesh të tjera, si pasojat e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Udhëheqësit e NATO-s takohen të premten në Varshavë për të konsoliduar masa të reja frenuese kundër një Rusie që ata e shohin si të fuqizuar, duke iu kthyer një mbrojtjeje të stilit të Luftës së Ftohtë, ku Uashingtoni merr përsëri rolin e mbrojtësit të Evropës.
Vendimi i Britanisë për të braktisur Bashkimin Evropian së bashku me krizën e imigracionit dhe militantizmin islamik e vë Presidentin Barack Obama në pozitën që të kërkojë një shfaqje uniteti në takimin e tij të fundit të lartë, për të zmbrapsur akuzat se NATO-s i ka ikur koha dhe për të zhdukur çdo perceptim rus për dobësi në kampin perëndimor.
Megjithë një numër të madh çështjesh, përfshirë forcimin e talebanëve në Afganistan dhe arsenalin balistik të raketave të Iranit, takimi dyditor do të mbizotërohet nga përgjigjja e NATO-s ndaj Rusisë dhe konfliktit në Ukrainë që Perëndimi akuzon Moskën se e ka nxitur me koston e lartë të humbjes së jetës së 9 mijë vetëve.
Rusia thotë se është Aleanca dhe jo Moska që po rrit rrezikun e një konflikti më të gjerë në Evropë, duke përmendur si arsye për t’i shqetësuar modernizimin më të madh të NATO-s që nga Lufta e Dytë dhe sistemin e mbrojtjes nga raketat.
Modernizimi i NATO-s po kristalizohet përreth një force të re në vendet balltike dhe Poloni me deri në 4 mijë trupa për të shërbyer si një kujtesë e vazhdueshme për Moskën se Aleanca i është rikthyer mandatit themelues për mbrojtjen e territorit të saj.
Në Varshavë, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania dhe Britania do të shprehin gatishmërinë për të udhëhequr katër batalionet në krahun jugor.
Diplomatët e NATO-s thonë se edhe mbrojtja në vendet balltike do të konsolidohet dhe Aleanca do të shtojë një prani në Detin e Zi, ku Rusia ka një flotë.
Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë pjesën më të madhe të masave frenuese, me pajisje ushtarake amerikane në Gjermani të gatshme për çdo konflikt, një bataljon prej rreth një mijë ushtarësh në Poloni dhe një brigade të blinduar që të qarkullojë rreth Evropës Qendrore.
Ndërsa kredibiliteti i Evopës është vënë në dyshim dhe votimi i Britanisë për të dalë nga Bashkimi Evropian, Uashingtoni do t’u kërkojë aleatëve të shtojnë shpenzimet ushtarake në takimin e nivelit të lartë.
Kandidati republikan për President, Donald Trump thotë se aleatët po përfitojnë në kurrizin e Shteteve të Bashkuara dhe se vendet e NATO-s nuk po paguajnë pjesën që u takon.
Mbrojtja me raketa është një tjetër temë e ndjeshme. Megjithëse SHBA thotë se sistemi i mbrojtjes nga raketat është për t’u mbrojtur nga raketat iraniane, Rusia fajëson Uashingtonin se po provokon duke thënë se sistemi ka për synim nxjerrjen jashtë përdorimit të mbushjeve të saj bërthamore.
Në Varshavë, Shtetet e Bashkuara duan t’ia kalojnë kontrollin e sistemit të mbrojtjes nga raketat NATO-s, por Franca që po udhëheq përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, nuk është shumë entuziaste për një mundësi të tillë, duke pasur parasysh reagimin e pritshëm negativ të Moskës.

Artikulli paraprakRepublikanët, akuza ndaj FBI për hetimin e Hillarit
Artikulli tjetërAmbasadorja e Kroacisë në Shqipëri takohet me kryetarin e Bashkisë Kamëz