Alarmohet Italia: Po futet nga Shqipëria kanabisi i vitit 2017

Autoritet italiane japin alarmin për trafikimin e kanabisit që është prodhuar gjatë këtij viti në Shqipëri dhe po trafikohet me gomone. Specialistët antidrogë të Rojes së Financës vërejnë me shqetësim se kanabisi i kapur në dy gomonet ishte edhe prodhim nga të korrat e mbara të vitit 2016, por edhe prodhim i ri i vitit 2017 i një lloj kanabisi të manipuluar gjenetikisht për të pasur cikël të shkurtër vegjetativ. Narkotrafikantët shqiptarë nuk kanë të ndalur përsa i përket “eksportit” të drogës drejt Italisë. Pas kapjes të premten të 2.2 tonëve marijuanë shqiptare, financierët italinë në 2 operacione të ndryshme kapën mbi 21 kuintalë të tjerë droge.  Financierët italianë pasi morën informacione të sakta nga kolegët e tyre të stacionuar në Shqipëri, organizuan dy operacione antidrogë me pjesëmarrje të disa mjeteve patrulluese detare, dy helikopterëve dhe disa veturave e furgonave në bregdetin afër Barit.
Në operacioni e parë në ujërat përballë Barit u kap një gomone 9 metra e gjatë me 2 motorë të fuqishmë e ngarkuar me 1708 Kg. marijuanë të ambalazhuara në 79 koli. Dy skafistët vlonjatë u dorëzuan pa bërë asnjë rezistencë. Sapo skafi me drogë ishte afruar pranë plazhit të Kelnelas kanë ndërhyrë forcat e Guardia di Finanza. Pak para braktisjes, skafi ishte sinjalizuar nga Guardia di Finanza dhe në atë pikë trafikantët u përpoqën të arrinin plazhin. Këta të fundit arritën të largoheshin, duke braktisur sasinë e madhe të drogës. Ata e lanë skafin në breg pas disa orë ndjekjeje nga motovedetat e Guardia Di Financës. Lënda narkotike ishte e ndarë në 57 pako të mëdha secila. Policia dyshon se ajo ishte destinuar për t’u trafikuar në Veri të Italisë. Përllogaritet që ajo do të sillte 22 milionë euro fitim për grupet e narkotrafikut. Policia italiane po vijon hetimet për zbardhjen e rrjetit të trafikantëve.
Në operacionin e dytë përballë qytezës së Villanova di Ostuni u kap një gomone 8 metra e gjatë me 2 motorrë të fuqishëm e ngarkuar me 1 413 Kg. marijuanë të ambalazhuara në 77 koli, e të mbuluara me mushama. U arrestuan pa asnjë rezistencë edhe dy skafistët vlonjatë të  gomones së dytë.
Sipas hetuesve, me t’u hedhur në treg droga do të kapte vlerën e 13 milionë eurove. Ndërkohë, në pranga kanë rënë 4 persona, dy shtetas italianë dhe dy shqiptarë, të moshave nga 27 në 50 vjeç. Dy prej tyre, 40 dhe 50 vjeç, tentuan t’i shpëtonin forcave të policisë, duke u hedhur nga një lartësi prej 5 metrash, veprim nga i cili mbetën të lënduar dhe u prangosën lehtë nga uniformat blu. Arrestimi i tyre u bë pas sinjalizimit të një patrulle policie, e cila kishte identifikuar një furgon që udhëtonte me drita të fikura me drejtim në qytezën Bisceglie. Në zonën industriale të asaj komune furgonit i është bashkuar një furgon i dytë. Forcat italiane të rendit kanë aktivizuar menjëherë operacionin e ndjekjes e pas disa minutash kanë mundur të ndalojnë të 2 furgonat e të arrestojnë 4 persona; 2 shtetas shqiptarë e 2 italianë.
Gjatë ndalimit 2 prej të arrestuarve kanë tentuar arratisjen, duke u hedhur nga një lartësi prej 5 metrash, fakt që i ka shkaktuar plagë në trup, duke detyruar shtrimin e kurimin e tyre pranë spitaleve të Barit e Andrias. Gjatë ditëve të fundit, Policia Financiare e Barit ka sekuestruar rreth 8 tonë marijuanë si përmes operacioneve detare ashtu dhe në ato tokësore.
Në bregdetin puljez nga Santa Maria di Leucca deri në zonën rrëzë Malit Gargano në det e në plazhe vetëm 10 ditët e fundit janë kapur mbi 8 ton drogë dhe sekuestruar 4 gomone e motorskafë si edhe 9 automjete. Për këto 8 tonë drogë janë arrestuar 9 skafistë, shoferë, shoqërues malli etj.

Skafi me 1.5 ton drogë që u kap në Ulqin u nis nga Lezha

Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimin për skafin e bllokuar me 1.5 tonë hashash në plazhin e madh të Ulqinit, ku janë arrestuar edhe 2 skafistët shqiptarë. Bëhet e ditur se institucioni i akuzës, e ka regjistruar procedimin penal për “trafik droge” në bashkëpunim. Për këtë hetim, burimet thonë se janë regjistruar emrat e dy të dyshuarve në rolin e drejtuesve të skafit të arrestuarit Elton Çaushaj dhe Benard Tahiraj. Veç dy të arrestuarve, burimet thonë se po verifikohen kontaktet që ata kanë pasur në Shqipëri si dhe personat që i kanë ndihmuar për transportimin e 1.5 tonëve hashash.
Sipas akuzës, nga të dhënat paraprake, dy të arrestuarit Çaushaj dhe Tahiraj nga zona e Vlorës nuk kanë pranuar të flasin për hetuesit malazezë. Por Prokuroria mësohet se ka ngritur dyshime se skafi ka ardhur nga Italia, është ngarkuar në zonën e Talës në Lezhë dhe më pas ka udhëtuar drejt Malit të Zi. Me të kaluar pranë ujërave të shtetit fqinjë, mësohet se Policia Kufitare e Malit të Zi ka pikasur skafin gjatë lundrimit rreth 8 milje larg bregut. Me konstatimin e tij, rojet bregdetare të policisë malazeze janë vënë në ndjekje të skafit, ku pas rreth 30 minutave drejtuesi i skafit dhe shoqëruesi i tij i janë dorëzuar policisë, ku edhe janë arrestuar.
Nga ana tjetër, mësohet se Prokuroria ka verifikuar të kaluarën e dy të arrestuave në Mal të Zi, të cilët dyshohet se jetonin prej kohësh në Venecia të Italisë. Ndërkohë mediat malazeze, referuar burimeve të Prokurorisë kanë thënë se skafi vinte nga Shqipëria dhe kishte si destinacion Ulqinin nga ku trafikantët malazez në rrugë tokësore do ta kalonin hashashin në vende të ndryshme të BE-së.
Para tre ditësh, policia malazeze sekuestroi 7 kg heroinë që po transportohej nga një shtetas shqiptar me makinë nga Durrësi. Droga ishte fshehur në pjesën e përparme të makinës dhe sipas policisë malazeze, droga ka ardhur nga Durrësi me destinacion vendet e Europës.

R.POLISI

Artikulli paraprakPaloka: Ndërhyrja e SHBA zgjidhi krizën
Artikulli tjetërSkandal! Shitja e cigareve vetëm në kioskat e Veliajt