“Alarm i fortë për ndërhyrjeje të menjëhershme!”- Avokati i Popullit reagon për vetëvrasjen e 41-vjeçares: Fyerjet dhe bullizmi nuk mund të tolerohen!

Avokati i Popullit ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Durrës, ku 41-vjeçarja Bedrie Loka, nënë e katër fëmijëve, i dha fund jetës duke pirë fostoksinë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike pas kërcënime të vazhdueshme me vdekje nga ana e bashkëshortit të saj dhe hapjes së një adrese false TikTok-u ku publikoheshin foto me përshkrime denigruese për të.

Në një reagim në “Facebook”, Avokati i Popullit shprehet se ngjarja, ishte tronditëse dhe duhet të shërbejë si një alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.

Ndër të tjera, Avokati i Popullit shprehet reagimi shoqëror ndaj kësaj tragjedie duhet të jetë më shumë se një reagim sipërfaqësor, ndërsa thekson se “fyerjet dhe bullizmi nuk mund të tolerohen”!

Reagimi i plotë:

Ngjarja e rëndë e vetëvrasjes së një gruaje në Shqipëri, si pasojë e fyerjes dhe denigrimit personal në një platformë sociale, ishte thellësisht tronditëse dhe duhet të shërbejë si një alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.

Pranimi i një realiteti ku të gjithë kemi ndjeshmëri dhe vulnerabilitet është thelbi i një komuniteti të shëndetshëm, e kundërta është bullizëm!

Refuzimi i bullizmit dhe i të gjitha formave të tij duhet të jetë në thelbin e vlerave tona dhe reagimi shoqëror ndaj kësaj tragjedie duhet të jetë më shumë se një reagim sipërfaqësor; duhet të jetë një angazhim i përhershëm për të krijuar një mjedis dashamirës.

Në një kohë kur teknologjia është pjesë e pandarë e jetës tonë, duhet të mbajmë në vëmendje thelbin e humanizmit dhe respektit reciprok. Fyerjet dhe bullizmi nuk mund të tolerohen!

“Mirëkuptimi shoqëror” duhet të jetë më shumë se një frazë; duhet të jetë një parim që përcakton sjelljet tona në përditshmëri.

Avokati i Popullit bën një thirrje të dedikuar për të gjithë komunitetin e platformave të mediave sociale, për të ndërtuar një mjedis mbrojtës dhe të shfaqi kujdes për mirëqenien emocionale të të gjithë qytetarëve.

Artikulli paraprak“Bota nuk mundet që vetëm të shikojë”, UNICEF jep alarmin: Fëmijët në Gaza kërcënohen nga kequshqyerja dhe sëmundjet
Artikulli tjetërRritja e çmimit të ujit në Bashkinë Vlorë, reagon PD/ Elezi: Ja pse PD është kundër