Akti i vjedhjes së kartave elektronike vepër penale

Akti i vjedhjes së kartave elektronike nga ana e Taulant Ballës përbën edhe një vepër penale. Deputetët e Partisë Demokratike denoncuan procesverbalin e votimit në Kuvend për Kryeprokuroren, ku vërtetohet falsifikimi dhe manipulimi i votës së deputetëve. Sipas procesverbalit, në votim kanë marrë pjesë me votë pro disa deputetë të opozitës, ç’ka vërteton vjedhjen e votës në Kuvend. Deputeti Genc Pollo e vlerësoi këtë votim të paligjshëm si dhe publikoi edhe foton ku karta e tij e votimit merrej nga kreu i socialistëve në Kuvend, Taulant Balla. “Këta falsifikojnë edhe emrin e tyre!!! Jo më votën time!!! Votimi i PPP i paligjshëm e i pavlefshëm!!!”, tha Pollo. Deputetja Jorida Tabaku tha se, ky votim është një puç kushtetues dhe për më tej i pavlefshëm. “Sot akti i zgjedhjes së PPP (Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm) përveçse një puç kushtetues ishte dhe një proces i falsifikuar. Të paktën në dy raste deputetët e Partisë Socialiste kanë marrë kartat dhe kanë votuar, duke e zhytur akoma dhe më shumë në paligjshmëri dhe antikushtetuetshmëri këtë proces. Ky proces nisi dhe bitisi si i pavlefshëm!”, tha Tabaku. Deputeti Ervin Salianji tha se do të ketë ndjekje penale për vjedhjen e votës së deputetëve në Kuvend. Sipas tij, kjo vjedhje ka delegjitimuar Kuvendin. “Ndjekje penale për vjedhjen dhe tjetërsimin e votës së deputetëve! Deputetë të mazhorancës vjedhin votën në sallën e Parlamentit; në prani të kamerave, të fotografëve dhe të çdo shqiptari që ndiqte këtë seancë. Mendoni çfarë kanë bërë me votën e qytetarëve. Mendoni çfarë kanë bërë dhe bëjnë me tenderat dhe aferat korruptive që janë në dokumenta që nuk i sheh dot publiku”, tha Salianji. “De-legjitimimi i Parlamentit të Shqipërisë u vulos edhe me këtë akt mbyllës të pa ndodhur kurrë më parë. Jo vetëm politika po mbarë opinioni publik, Shoqëria Civile dhe çdo zë i rëndësishëm duhet t’i japë vëmendjen e duhur këtij akti që shemb plotësisht shtetin së drejtës”, tha më tej ai. Për deputetin Tritan Shehu, votimi është nul dhe antikushtetues. Sipas tij, provat janë të pakundërshtueshme për tjetërsimin e votës së deputetëve në Kuvend. “Ajo që ka ndodhur sot në sallën e Kuvendit me kartat e deputetëve, e konfirmuar edhe në listën e votuesve për prokurorin, e nulifikon me prova të pa kundërshtueshme atë proces votimi. Ky proces, që filloi si antikushtetues u “asgjësua” qartësisht edhe teknikisht nga një manipulim banal. Nuk thonë kot, kush do t’i bëjë varrin tjetrit bie vetë brenda!”, tha Shehu. Edhe deputeti demokrat Luçiano Boçi në një reagim të tij shprehet: “Ky ishte votimi i grushtit kushtetues që kaloi në gijotinë demokracinë shqiptare.
Mazhoranca e gjitha “në këmbë” për të shkelur me këmbë Kushtetutën. Gramozi: “Për çështjen e Ramës e të kanabisit të jemi gati!: Deputetët: “Gjithmonë gati””.

Artikulli paraprakRama: Rëndësi ka që Kryeprokurori i ri u votua
Artikulli tjetërTaulanti kërkon votat e munguara!