Aksidenti tragjik i nënës që u shtyp duke shpëtuar dy fëmijët

Një aksident i tmerrshëm ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 11:15 në Tiranë. Nëna e dy fëmijëve humbi jetën tragjikisht nën rrotat e një makine, teksa po kalonte rrugën përballë Arkivës së Shtetit në kryqëzimin “Jordan Misja” tek ish-Stacioni i Trenit. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, 45-vjeçarja Dhurata Prifti, sportiste e njohur e Qitjes, ishte me dy fëmijët e saj teksa u shtyp për vdekje nga një automjet që qarkullonte me shpejtësi të madhe. Për të shpëtuar fëmijët, ajo i ka shtyrë dhe i ka dalë makinës para.
Edhe pse u transportua menjëherë në spital, 45-vjeçarja nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra, duke ndërruar jetë, ndërsa fëmijët kanë marrë disa plagë, por janë jashtë rrezikut për jetën. 20-vjeçari që drejtonte mjetin i kaloi me makinë sipër gruas dhe nuk ndaloi për t’i dhënë ndihmë, por u largua nga vendngjarja.
Kamerat e sigurisë të instaluara në atë rrugë që filmuan momentin e aksidentit shënojnë orën 11:16 minuta. Gruaja bashkë me dy fëmijët e saj po kalonte nga njëri krah i rrugës për në krahun tjetër, kur makina me shpejtësi i përplas. Madje kalon sipër njërit prej trupave, por nga kamera nuk dallohet qartë nëse është trupi i njërit prej dy djemve apo i nënës së tyre. Më pas në një video tjetër, qytetarët japin ndihmën e shpejtë të aksidentuarve, duke i dërguar në spital.
Dëmtime të lehta nga ky aksident pësuan dhe fëmijët që ishin në shoqërinë e nënës, duke kaluar rrugën. Aktualisht janë nën kujdesin e mjekëve me dëmtime jashtë rrezikut për jetën, por të traumatizuar.
Andrea Memollari, 20 vjeç u vu në pranga rreth orës 16:00, pasi dyshohet se drejtoi automjetin duke shkaktuar aksidentin e tmerrshëm. Burimet e policisë bënë të ditur se, mjeti që shkaktoi aksidentin ishte një ‘Mercedes Benz’ 220, ngjyrë gri me targa AA 476 GL. Lidhur me aksidentin me pasojë vdekje të shtetases Dhurata Prifti, forcat e policisë sekuestruan mjetin me të cilin ka kryer këtë vepër penale me pasojë të rëndë. Sipas policisë, Memollari e shkaktoi aksidentin me një makinë “Mercedes Benz” C Class ngjyrë gri, në pronësi të një personi me inicialet Dh.O. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ka dyshime që 20-vjeçari po ecte me shpejtësi 80- 100 km/orë, ndërkohë nëna dhe dy fëmijët dyshohet se kanë qenë duke prerë rrugën.

Skena e aksidentit, e tmerrshme

Skena e aksidentit ishte e tmerrshme. Një video e një biznesi aty pranë ka regjistruar çastin fatal teksa Memollari jo vetëm i kaloi përsipër me benz, Dhurata Priftit, por as nuk ndaloi automjetin duke shtypur trupin e gruas. Dëshmitarët vunë duart në kokë, kur makina i kaloi sipër gruas që shpëtoi dy fëmijët e saj. Personat që ndodheshin në vendgjarje nuk dinin kujt t’i vinin në ndihmë më parë, nënës apo fëmijëve.
Disa media shkruan se i riu ishte nën efektin e drogës ose alkoolit në momentin që shkaktoi aksidentin tragjik. Në profilin e tij në Facebook, mes shumë postimeve të tjera, i riu që shkaktoi aksidentin shfaq pasionin për makinat dhe shpejtësitë ekstreme. Madje ka publikuar dhe një video ku dëshmon se me makinën e tij ka qarkulluar me 200 km në orë.

Nënkampionia e Qitjes, nëna heroinë që dha jetën për të shpëtuar dy fëmijët

Dhurata Prifti, ish-nënkampione e Shqipërisë në Qitje, po kalonte rrugën “Jordan Misja” nga njëri krah në tjetrin bashkë me dy djemtë e saj, kur papritur u përfshi në një aksident të tmerrshëm. Sportistja e njohur e qitjes u përplas për vdekje nga një drejtues mjeti i papërgjegjshëm.
Aksidenti ka ndodhur pranë zyrave të Arkivit të Shtetit, ku sportistja 45-vjeçare u përpoq të shpëtonte djemtë e saj. Në videon e publikuar të momentit të aksidentit, shihet që drejtuesi i automjetit  tip “Benz”, nuk ka ndaluar edhe pasi përplasi 45-vjeçaren dhe dy djemtë e mitur. Kjo bëri që makina të kalonte mbi trupin e sportistes, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pak orë më pas ajo ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak.

Berisha: Një homazh për nënën e re që sakrifikoi jetën për dy vogëlushët e saj

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për aksidentin tragjik që i mori jetën një nëne të re, e cila e shtyp nga një makinë për të shpëtuar dy fëmijët e saj. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan: Një homazh për nënën e re Dhurata Prifti që sakrifikoi jetën për të shpëtuar dy vogëlushët e saj!.
“Të dashur miq, sot një nënë 37-vjeçare mbuloi me jetën e vet (trupin e saj) dhe shpëtoi nga vdekja dy vogëlushët e saj në një aksident, duke pikëlluar thellë në shpirt dhe merituar nderimin më të lartë të mbarë shoqërisë tonë.
Duke shprehur nderimin më të lartë për veprën, sakrificën sublime të Dhuratës dhe ngushëllimet më të thella familjarëve të saj si dhe lutur për shpirtin e saj, dënojmë gjithashtu aktin çnjerëzor të autorit të aksidentit që u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, sikur të ishte një vrasës mizor! Sb”, përfundon Berisha.
20-vjeçari i aksidentit, përdorues i drogës
20-vjeçari nga Kuçova që shtypi me makinë dje në Tiranë një grua dhe plagosi 2 fëmijët e saj, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes mund të jetë edhe përdorues i kokainës. Andrea Memollari, shihet në një foto të publikuar në profilin personal në Instagram teksa konsumon lëndë narkotike të bardhë. Memollari ishte i dhënë pas shpejtësisë, kur udhëtonte me makinë, ndërkohë që frekuentonte edhe makina luksoze me fuqi motorike tepër të lartë.

20-vjeçari që vrau me benz nënën e dy fëmijëve ecte me 200 km/orë

Problemin për qarkullimin me shpejtësi të madhe 20-vjeçari Andrea Memollari e ka pasur më herët. Mediat kanë një lajm të një viti më parë, kur Andrea 19 vjeç u ndalua për shpejtësi të lartë dhe tentoi të korruptonte një polic. Në videon e publikuar në rrjetet sociale në muajin mars të vitit 2015, shihet se 19-vjeçari Andrea Memollari është ndaluar nga Policia, pasi tentoi të korruptojë punonjësin e Policisë me 500 lekë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Ferit Xhajko” në kryeqytet.
“Rreth orës 18:35 minuta u ndalua automjeti “Mercedez-Benx” 190 me targa “TR 7049 I”, sepse ishte duke lëvizur me shpejtësi nga Farmacia 10 në drejtim të rrugës “5 Maj”. Drejtuesi i mjetit, Andrea Memollari, lindur në Çorovodë dhe banues në Tiranë, ka tentuar që të korruptojë punonjësin e Policisë, duke i dhënë një kartmonedhë me prerje 500 (pesëqind) lekëshe, të cilën e ka futur brenda lejes së qarkullimit, duke i thënë “Merri dhe më lër që të vazhdoj”. Menjëherë punonjësi i Policisë ka reaguar dhe ka bërë bllokimin e këtij personi, duke e shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë si autor i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, thuhej në njoftimin e policisë.
Pas këtij episodi, i riu kreu dënimin me rehabilitim, me punë të detyruar në Muze.
“Po ecja shpejt me makinë dhe u mundova t’i jepja lekë policit. Më futën brenda. Më dënuan me 48 orë pune në muze. Punoj 4 orë në ditë këtu. Orientoj njerëzit që të mos shkelin mozaikun e kështu gjërash. Ky dënim më bën të kuptoj që nuk i duhet dhënë më lekë policit, sepse për të ecur shpejt, ne të rinjtë e kemi këtë problem”, thotë Andrea një vit më parë.
Por, një vit më pas, Andrea Memollari, 20 vjeç bëhet protagonist i një ngjarje shumë të rëndë. Me makinë përplas dhe i kalon sipër një gruaje, e cila shtyn fëmijët, për t’i shpëtuar nga gomat e Benzit që drejtonte i riu.
Andrea Mamollari, lindur në mars 1996 në Çorovodë dhe banues në Tiranë, rezulton që të jetë pajisur me leje drejtimi automjeti në gusht 2014. Dhe vetëm 8 muaj pas marrjes së lejes së drejtimit ai ndalohet në shkelje të normave të shpejtësisë dhe më pas arrestohet.
S’do jap më lekë, me shpejtësi do eci sërish
Për këtë arrestim, 20-vjeçari u dënua nga Gjykata me 40 orë punë publike. Këtë dënim, i riu e ka shlyer duke punuar si vullnetar në Muzeun Kombëtar. Në një kronikë të “Top Channel” në gusht të vitit 2015, Andrea Memollari flet për dënimin e tij. I pyetur se çfarë ka ndryshuar tek ai pas këtij dënimi, ai thotë se nuk do të përsërisë më veprimin e dhënies së parave se për të ecur shpejt do ta bënte sërish.
“Po ecja shpejt me makinë dhe u mundova t’i jepja lekë policit. Më futën brenda. Më dënuan me 48 orë pune në muze. Punoj 4 orë në ditë këtu. Orientoj njerëzit që të mos shkelin mozaikun e kështu gjërash… Nuk do i jap më lek policit, se për të ec shpejt do ecim se çunat e ri e kanë içik këtë për të ec”, shprehet 20-vjeçari.

R.POLISI

Artikulli paraprakIslami: Rama përmes Bilalit dhunoi ligjin federal të sponsorizimeve
Artikulli tjetërParku i Liqenit, asnjë transperencë për pistën 2.2 milion euro të biçikletave