Aksidentet, vdes fëmija në Durrës një i moshuar në Velipojë

Dy ditë pasi u përplas nga një makinë, ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë vajza 9-vjeçe. E.B. ka ndërruar jetë këtë të mërkurë, sipas burimeve policore. Aksidenti ndodhi dy ditë më parë në periferi të Durrësit.
Vajza ishte duke ecur në këmbë në Katund Sukth, ku edhe banonte, kur është përplasur nga një makinë tip “Benz”, që drejtohej nga 52-vjeçari F.P. Vajza është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por pavarësisht ndihmës së mjekëve për t’i ardhur në jetë, ka humbur jetën pas dy ditëve në agoni. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është arrestuar nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ai u vu në pranga ditën e aksidentit.
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në aksin Shkodër-Velipojë. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës, kur një motorçikletë është përplasur me një makinë. Mësohet se nga aksidenti ka humbur jetën drejtuesi i motoçikletës, Prekë Kokli, 60 vjeç banues në Velipojë. Policia informon se makina, e cila u përplas me motoçikletën drejtohej nga komandanti i  trafikut në Komisariatin e Policisë në Malësinë e Madhe, i cili është shoqëruar në polici për të dhënë sqarime mbi aksidentin. Shkaku kryesor i këtij aksidenti me pasojë vdekjen është mungesa e ndriçimit në aksin Shkodër-Velipojë.
Ndërsa dy persona kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik në aksion rrugor Kukës-Ura e Morinit. Sipas policisë, drejtuesi i një kamioni ka humbur kontrollin, duke u përplasur me një trafikndarës. Për pasojë është plagosur 30-vjeçari këmbësor me iniciale F.K dhe shoferi Ejup Rushiti 38 vjeç nga Prishtina.

Artikulli paraprakPazari Veliaj-LSI, tradhëton Tiranën
Artikulli tjetërProkuroria kërkon arrest me burg për 21-vjeçarin që vrau babanë