Akademiku i njohur mbështet protestën dhe paralajmëron Ramën: “Të gjithë akademikët janë kuksianë!”

Akademiku i njohur, Artan Fuga tha se mbështet protestën e baniorëve të Kukësit kundër taksës në Rrugën e Kombit. Ai tha se në këto momentë, “të gjithë akademikët janë kuksianë!”
Në studion e Fax News, akademiku Artan Fuga foli edhe për debatin e madh në lidhje me reformën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Fuga tha se çështja e reformës në Akademinë e Shkencave është e njëjta gjë në thelb me çështjen e protestës së Kuksianëve kundër tarifës në Rrugën e Kombit.
Artan Fuga u shpreh se kryeministri nuk dëgjon askënd. “Këtë mund ta quaj autizëm institucional. Ne vuajmë si shoqëri nga autizmi institucional prej kohësh. Kjo sëmundje nuk është vetëm vertikale, por kjo është edhe horizontale në planin social. Ti flet dhe askush nuk të dëgjon.
Kjo sëmundje ka zënë dhe dikasteret. Unë personalisht për veten time kam pasur projekte alternative që prej 5-6 vjetësh dhe asnjëherë nuk jam dëgjuar nga kryesia e Akademisë. Asnjëherë nuk më kanë lejuar që propozimet që kam pasur, mirë a keq të m’i dëgjonin dhe të thonin që ‘të dëgjuam o Artan, tani si asamble po marrim një vendim që nuk na duhen këto propozime”, tha akademiku.

Fuga vijoi duke thënë se çështja u përkeqësua më tej.
“Unë fillova të reagoj në publik atëherë kur ndodhi një gjë shumë e shëmtuar: kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar dhe vazhdonim ashtu siç ishim. Unë dola në publik, zoti Rama foli nga ana e tij.
Çfarë ndodhi? Akademia u bllokua. Shkuam deri aty sa pushteti rrezikonte t’i priste fondet Akademisë duke i thënë që ‘ju nuk keni produkt’. Ata kanë të drejtë nga pikëpamja e analizës.
Ne jemi dhe një shoqëri minimaliste që po nuk e çuam gjënë në minimumin atje ku nuk mban më peri, ne nuk ndërhmë. Do të krijohej një komision i Akademisë që nëpërmjet asamblesë do të bënte reformimin. Po çfarë ndodhi?
Ministria, në fund të procesit, krijon një komision shtetëror dhe nuk pyet fare asamblenë e Akademisë. Nuk ka sot asnjë vendim të asamblesë së Akademisë për draftin që po prezanton komisioni që quhet shtetëror.
Kjo do të thotë se as akademiku nuk dëgjohet e jo më kuksiani. Unë po të them që të gjithë akademikët jemi kuksianë. Në ç’kuptim? Në kuptimin që nuk na dëgjon njeri”, theksoi Fuga.
Në lidhje me draftin e propozuar nga Ministria e Arsimit, professor Fuga tha se shkenca në Shqipëri është marrë peng nga Akademia.

“Akademia është marrë peng nga akademikët. Akademikët kanë qenë marrë peng nga kryesia e Akademisë dhe tani reforma është marrë peng nga ky komisioni shtetëror që na propozon një institucion i cili do të jetë buxhetor dhe i cili do të kontrollojë të gjithë shkencën në Shqipëri dhe do të jetë instanca më e lartë e shkencës në Shqipëri; që do të krijojë institutet e veta a thua janë pak këto institute që kemi krijuar. Në këtë institucion, akademiku do të jetojë përjetësisht si akademik dhe do të marri vendime për shkencën përjetësisht pavarësisht nga mosha ose pavarësisht se nuk është i atashuar në një grup kërkimi shkencor”, tha Fuga.

Artikulli paraprakBerisha: Koha e revoltës qytetare, e mosbindjes civile
Artikulli tjetërAlbin Kurti: Rama i ka vendos gjobë Kosovës dhe Veriut të vendit